TIRANË- Akademiku Artan Fuga i ftuar sot në emisionin “Kjo Javë” në News 24, ka zbutur disi qëndrimet e tij sa i përket Akademisë së Shkencave. Ai është shprehur kundër prerjes së fondeve për Akademinë, siç ka deklaruar kryeministri Rama, por shton se është emergjente reformimi i këtij institucioni.

Sipas Fugës Akademia e Shkencave ka nevojë për rithemelim dhe dokumenti i miratuar nga Asambljesa e saj, që mban edhe firmën e tij nuk e garanton reformimin.

Me dokumentin e aprovuar nga Asambleja e Akademisë së Shkencave për të cilin kam punuar edhe unë jam dakord, por ai është minimalist dhe ende nuk siguron suksesin e reformës në Akademi. Unë ndjehem në minorancë në Asamble dhe i qëndroj të gjitha pikëpamjeve të shprehura publikisht për këtë reformim. Në thelb, unë mendoj se Akademia duhet të rithemelohet. Kërkoj reformim nëpërmjet rithemelimit”,- tha Fuga.

Profesor a ka një ndryshim të qëndrimit tuaj?
Ka një evolucion në raport me kontekstin ku ndodhet aktualiteti, por bindjet e mia janë njësoj, janë të pandryshueshme. Pozicioni im i sotëm është që po, Asambleja ka aprovuar një dokument reformimi i cili përmban disa masa, ide strategjike se ku mund të reformohet Akademia. Thelbi i saj është që Akademia të jetë një forum shkencëtarësh me detyra të përcaktuara në partneritet me qeverinë për të qënë një konsulente dhe monitoruese, orientuese dhe motivuese e kërkimit shkencor në Shqipëri por jo të kryejë si funksion të saj të parë studime të dorës së parë, sepse nuk është një institucion shkencor. Ndërkohë pozicioni im është ky, që unë e kam aprovuar këtë dokument, kam marrë pjesë në hartimin e tij por e konsideroj minimalist. Për një reformim të Akademisë së Shkencave duhen masa shumë më rrënjësore. Është prodhuar një dokument që nuk e garanton akoma reformimin.

A do kandidonit për kryetar të Akademisë së Shkencave?
Në këto kushte? Jo kurrë

Cilat janë kushtet që do ju bënin të kandidonint?
Një akademi e re e reformuar sipas bindjeve të mia. Reformimi për mua do të jetë i plotë nëqoftëse do të bëhet një analizë e punës shkencore dhe rezultateve shkencore të të gjithë akademikëve mbi bazën e kritereve të reja për të parë se ku është secili.

Po ky buxhet është i duhur, a mund ta përballojë ai reformimin e Akademisë?
Unë i qëndroj pikëpamjes time se vetëm të kërkosh buxhete pa thënë se çdo t’i sjellësh buxhetit është një politikë financiare e gabuar që ka hyrë si një sëmundje prej kohës kur institucionet publike ishin shtetërore dhe vetëm merrnin dhe nuk jepnin. Unë i qëndroj strategjisë se Akademia e Shkencave sikurse të gjitha agjensitë që kanë të bëjnë me industrinë e krijimit jo vetëm duhet të marrin nga buxheti, por duhet të kontribuojnë në buxhet. Ky është problem që unë nuk jam akoma i pranuar dhe i kuptuar dhe i pranuar në Akademi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: