TIRANË- Akademiku Artan Fuga ka reaguar pas aludimeve se ai mund të jetë një nga emrat e propozuar nga Partia Demokratike për një nga postet ministrore teknike që do të marrë opozita pas marrëveshjes Rama-Basha.

Në një status në “Facebook”, Artan Fuga Shkruan se do të pranonte modestisht dhe pa bërë zë çdo detyrë dhe do të merrte çdo ngarkesë brenda një ekipi për t’i shërbyer qytetarëve dhe së mirës publike.

Më tej ai thotë se lëvizja për republikën e re dhe Lulzim Basha janë treguar moralisht dhe politikisht shumë korrekt për këtë çështje me të. Fuga tregon dhe se çfarë duhet të ndryshojë në modelin e qeverisjes.

STATUSI I ARTAN FUGËS
Unë kandidat për në qeveri?

Nisur nga fakti që në rrjete të ndryshme sociale përmendet edhe emri im për të qenë një kandidaturë e opozitës e propozuar për të qenë në qeveri, dëshiroj t’i falënderoj shumë të interesuarit dhe ata që kanë besim te unë, të cilin asnjëherë nuk do ta zhgënjej.

Desha të njoftoj se opozita, pa pasur asnjë detyrim, lëvizja për republikën e re, edhe vetë z. Lulzim Basha, janë treguar moralisht dhe politikisht shumë korrekt për këtë çështje me mua.

Unë i qëndroj mendimit tim se modeli ekonomik, social, kulturor dhe politik që ka vendi ynë sot është krejt i tejkaluar nga koha.

Ai duhet rinovuar me themel sepse e ka lënë Shqipërinë në prapambetje, prodhon kriza dhe ka përjashtuar, denigruar, fyer qytetarin.

Unë jam shumë i qartë se çfarë duhet bërë për ta zëvendësuar atë brenda një kohe shumë të shkurtër, dyvjeçare, me një model të kohës, mbështetur në arritjet më të mira të këtyre dekadave dhe duke shëruar plagët e shumta të grumbulluara.

Ne kemi ngecur në vend së pari sepse administratorët tanë nuk dinë! Sepse drejtuesit civilë së dyti janë të kapur nga disa lobingje me parà. Dhe këto lobingjet me parà së treti pasi bëjnë apologjinë e shëmtuar të vetvetes me kalemxhinj gjithfarësh, bazuar te ideologjira të shekullit të kaluar për të cilat nuk ja kanë haberin, mbushin xhepat pa krijuar vlerë të re dhe nuk përfaqësojnë sipërmarrje me dobi shoqërore!

Ne kemi hipur në një makinë që ndryshon shoferin herë pas here, por pa pasur motor.

Sapo të më jepet mundësia do të pranoja modestisht dhe pa bërë zë çdo detyrë dhe do të merrja çdo ngarkesë brenda një ekipi për t’i shërbyer qytetarëve dhe së mirës publike. Atëherë kur gjithçka do të krijohet si mundësi për të rikonceptuar, riformuluar dhe zbatuar politika vërtet të reja.

Ndërkohë, aktualisht, sot, detyra e anëtarëve të qeverisë të cilët propozohen nga opozita dhe aprovohen nga kryeministri është si duket thjesht për disa javën dhe vetëm për të qenë në një farë mënyre rojtarë të ndonjë paudhësie nëpunësish :).

Për këtë funksion, që nuk them se nuk ka fare dobi shoqërore, nuk ndjehem gati të angazhohem.
Muajt e verës që i kisha rezervuar për të ribërë një tekst për studentët, po i harxhoj për këtë punë, sesa të qëndroj para ose pas ndonjë tavoline, ulur në kolltuk ose duke para larg përmes dritares duke mbajtur me dorë perdet e trasha.

Pra duke falënderuar miqtë dhe të interesuarit, çështja është e mbyllur nga ana ime duke e lënë rehat opinionin publik.

Ndërkohë më gjatë do të shpjegohem më pas, ndërkohë që gjatë javëve që vijnë do të jem si gjithmonë aktiv për të sensibilizuar së bashku me opinionin qytetar se çfarë presim ne për republikën e re.

Unë mbetem thellësisht, deri në fund, plotësisht me besimin se ne na pret ose një republikë e re, ose barbaria dhe mjerimi e humbja si komb.

E kam thënë dhe e përsëris. Njerëzit ikin e vijnë ideja do të mbetet!
Ne si qytetarë duhet t’i japim udhë asaj.
Ka ardhur sahati!
Ne mundemi!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: