Artan Grubi nuk është më në Kosovë, por në Shqipëri. Kjo u deklarua nga zv.kryeministri Izet Mexhiti, sipas të cilit arratisja e Grubit tregon se ai është fajtor dhe se një ditë do të dalë para organeve të drejtësisë.
Mexhiti nuk dha më shumë detaje, por shtoi se është detyrë e Ministrisë së Punëve të Brendshme që ka bashkëpunim me Interpol-in, për t’a gjetur dhe rikthyer në Maqedoninë e Veriut për t’u përballur me drejtësinë.
Nga VMRO-DPMNE edhe sot akuzuan LSDM-në se gjatë kohës së tyre në pushtet e kanë lejuar Grubin që të vjedhë.
“LSD është fajtore për shkak se Grubi vidhte pa u sanksionuar, të gjithë e dinin këtë, askush nuk guxonte ta dënonte. Është e trishtë të shohësh se si tani LSD me të gjitha forcat po mundohet të shpik skenarë, kur ata ndanin pushtetin, kishin frikë ta përmendnin Grubin, e jo më ta thirrin në përgjegjësi. Edhe pse të gjithë kishin njohuri për krimin e Grubit, edhe pse VMRO-DPMNE-ja dhe mediat e thirrnin LSD-në si pushtet, ato nuk ndërmorën asgjë për shkak se për ato ishte e rëndësishme që të qëndrojnë në pushtet”, tha Brane Petrushevski, VMRO-DPMNE.
Por LSDM e drejton gishtin e akuzave drejt Toshkovskit i cili, siç thonë, e ka lëshuar Grubin që të arratiset nga vendi.
“Të kapur në këtë skandal të madh, pushteti fillimisht u përpoqën t’ia hedhin fajin baterive të kamerave, ndërsa tani po licitojnë se ku është Grubi, në Kosovë apo Shqipëri. Kufiri i Kosovës është i shoshitur, i hapur për të ikur kriminelët. Zyrtarët qeveritarë duhet të marrin përgjegjësinë në vend që të bëjnë oferta. Për arratisjen e Grubit, d.m.th. për lëshimin jashtë kufijve të shtetit, Toshkovski tashmë duhet të kishte dhënë dorëheqje”, thonë nga LSDM.
Grubi u arratis nga vendi para nje jave duke kaluar kufirin në Bllacë. Pasi shkroi në profilin e tij në Facebook se nuk ka ikur dhe do të kthehet shumë shpejt, që atëherë ka humbur çdo gjurmë. Për të si dhe për ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajrami janë lëshuar urdhërarreste.