Gazetari investigativ i “News24”, Artan Hoxha në një analizë ekskluzive për “BalkanWeb” sjell një sërë argumentash pse sipas tij Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla po zbaton me dy standarde ligjin e dekriminalizimit duke “u treguar trim me bashkiakët e periferive dhe frikacak me politikanët e kryeqytetit.

Nga ARTAN HOXHA
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe zinxhiri komandues në varësi të tij, edhe pse të mbetur me pasaporta të vulosura si “persona të padëshirueshëm” në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të veprojnë me dy standarde. Mbështetja nga aktorë të rëndësishëm politik në vend, ka bërë që kryeprokurori dhe vartësit e tij të mos pyesin as për vettingun dhe as për zbatimin e ligjit në vend.

Në raundin e parë të mandateve që u kërkuan të hiqen nga KQZ, prokuroria u tregua e kujdesshme që të dërgonte nga një përfaqësues për secilën nga tre forcat e mëdha politike në vend, në mënyrë që t’i shpëtonte një sulmi frontal nga palët e hatërmbetura.

Për këtë shkak u zgjodhën që të hiqeshin mandatet e deputetit Selami nga LSI; deputetit Tahiri nga PD dhe kryebashkiakut të Kavajës, Rroshi nga PS. Në raundin e dytë prokuroria “rrodhi” në media informacionin, se do kishte sërish një treshe të dytë nga të tria forcat politike.

Por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Ndërsa sot papritur Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla deklaroi se i ka kërkuar KQZ-së, heqjen e mandatit edhe për 2 kryebashkiakë të tjerë, duke zbuluar emrat e Adriatik Zotkajt dhe të Tërmet Peçit, të dy përfaqësues të Partisë Socialiste, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

“I kemi kërkuar KQZ-së t’i hiqet mandati dy kryebashkiakëve, kreut të bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj dhe atij të Tepelenës, Tërmet Peçi. Ka nisur një procedim për falsifikim dokumentesh. Dekriminalizimi duhet të zbatohet para zgjedhjeve”, – tha ai.

Por cila është e vërteta që fsheh kryeprokurori Llalla?!
Kreu i organit të akuzës, sidomos pas konfliktit të hapur që pati me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, ka vendosur të zgjedhë një taktikë tjetër. Pasi ka siguruar mbrojtje nga faktorë të rëndësishëm politik në vend, ai ka nisur të përzgjedhë mes “viktimave” të radhës në listën që i ka dërguar KQZ-së. Konkretisht, Llalla ka piketuar në listë, ata që mund të cilësohen si “më të parrezikshmit” për ta dëmtuar atë. Dhe nga ana tjetër ka mbyllur sytë përpara personazheve politike që mund t’i shkaktojnë kokëçarje.

Në vend që të bëhet njëherë të vetme burrë dhe zot i institucionit të cilin pretendon se është, Llalla ka vendosur t’u shërbejë kulisave politike në betejën parazgjedhore.
Organi i akuzës ka përzgjedhur për viktima të radhës, dy kryetare bashkish periferike, si Tepelena dhe Poliçani. Por më qesharak, është fakti se njëri nga kryebashkiakët, Termet Peçi, penalizohet për një gjobë të padeklaruar, ose më saktë që e ka deklaruar me vonesë.

Ndërsa kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, pavarësisht të kaluarës së tij, penalizohet për një dënim me gjobë prej vetëm 200 lekësh të vjetra, të marrë nga gjykatat e kohës së komunizmit në vitin 1985. Sipas prokurorisë, Zotka e ka deklaruar këtë vendim jo në fazën fillestare të dorëzimit të formularit, por në një moment të dytë. Dhe kjo përbën shkelje të ligjit të dekriminalizimit. Por çuditërisht në këtë listë, nuk përfshihen politikanë shumë më të rëndësishëm si dy kryebashkiakët e Tepelenës dhe Poliçanit.

Më konkretisht kërkesë për plotësim të formularit në KQZ ka bërë ish-kryeministri Sali Berisha, me motivacionin “për saktësim emri”.
Të njëjtën gjë, plotësim formulari ka bërë dhe ish-kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, me motivacionin “për deklarim të dënimit”.

Po ashtu kërkesë për plotësim të formularit ka bërë edhe kryetari i komisionit parlamentar për Rendin dhe Sigurinë, deputeti Spartak Braho, me motivacionin “për dënim me gjobë”.
Të njëjtën gjë kanë bërë dhe deputetët socialistë, Vladimir Kosta dhe deputeti Artan Gaçi, me motivacionin “për dënim me gjobë”.

Si këto ka dhe disa raste të tjera, por prokuroria nuk e gjykon të arsyeshme ta dërgojë dokumentacionin përkatës në KQZ.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb