TIRANE – Gazetari investigativ i “News24”, Artan Hoxha nuk ka mundur t’i marrë telefonat që i sekuestroi Prokuroria e Krimeve të Rënda të enjten e kaluar, pas deklaratave të tij se piloti italian Guido Andrea Guidi kishte pranuar se e kishte ulur avionin në Ishëm, për të testuar pistën, me qëllim që të kthehej më vonë për të trafikuar 200 kg hashash.

Gazetari Hoxha u paraqit mesditën e sotme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku pati një bisedë informuese me prokurorin e çështjes, me të cilin foli për rrethanat e hetimit. Hoxha bëri të ditur se prokurori e kishte njoftuar se telefonat do të qëndronin në prokurori, pasi nuk janë ç’koduar ende. Mësohet se prokurori i kërkoi bashkëpunim gazetarit për kodet e sigurisë së telefonave, por ai pranoi.

“Telefonat e mi nuk janë hapur deri tani. Mu kërkua që të bashkëpunoja me kodet e sigurisë. Nuk dorëzova kodet, telefonat nuk u hapën. Nëse nuk pranoj të dorëzoj kodet, telefonat do i hapin vetë. Burimet e informacionit nuk duhet të preken. Telefonat do jepen kur të marrë vendim grupi hetimor.”- deklaroi Hoxha.

Mbrëmjen e djeshme, i ftuar në “Studion e Hapur” të Eni Vasilit gazetari Hoxha tha se institucionet shqiptare nuk po bashkëpunojnë lidhur me hetimet për avionin në Ishëm, madje sipas tij, janë përfshirë në një lojë politike.

“Unë me ata telefona kam folur me të gjitha palët atë ditë për të krijuar një panoramë se çfarë po ndodhte me atë ngjarje. Më bëhet qejfi nëse i kanë marrë materialet sepse do kenë plot materiale interesante. Kjo është puna e tyre, jo puna ime. Uroj që ky veprim që kanë bërë të ketë shërbyer që ata të zbardhin një hetim të cilin e kanë nisur me vrull. Ka një gjë që nuk shkon në këtë histori, institucionet tona nuk bashkëpunojnë, madje janë përfshirë në një lojë politike. Të shkosh tek gazetarët për të arritur një qëllim politik, kjo nuk shkon”, deklaroi Hoxha.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb