TIRANË- Kutia e ndihmës për 10-vjeçarin Kristi Maze, është vendosur sot pranë Teatrit të Operës dhe Baletit dhe përballë Piramidës në kryeqytet. Të gjithë artistët e TKOB-së kanë kontribuuar për shpëtimin e jetës së Kristit, duke dhënë shuma të ndryshme simbolike, por edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët: ‘Ndihmoni me sa mundeni’!
Këngëtarja Irini Qirjako tha për “News24” se është e tronditur nga kjo ngjarje duke u apeluar të gjithëve për të kontribuuar.
“Jam tronditur nga ajo çfarë kam parë. Të gjithë të kontribuojmë për Kristi Mazen”, tha artistja e madhe. Sot kanë dhënë kontributin e tyre edhe nxënësit e shkollës ‘Ramazan Jarani’.
Ndërkohë në mesditë kontributi prej 5 mijë eurosh i emigrantit nga Anglia, Artur Metushi e çoi shumën e mbledhur në 35 mijë euro, ndërkohë që transplanti kushton 150 mijë euro.
Kontribut ka pasur edhe nga familjarët e nxënësve të shkollës ‘Edit Durham’, ndërsa nxënësit e kësaj shkolle e vizituan në spital Kristin.
Edhe administrata publike iu bashkua nismës “Të shpëtojmë Kristin”, duke kontribuar për operacionin e vogëlushit.
Në 10 ditë fushatë janë grumbulluar 36.4 mijë euro për Kristi Mazen. Vetëm shtrimi në një klinikë transplantesh kërkon 50 mijë euro, ndërsa për të paguar garancinë për Kristin nevojiten edhe 14 mijë euro. Ndërkohë kostoja e transplantit të mëlçisë shkon ën rreth 150 mijë euro.
(m.k/BalkanWeb)