Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë të enjten mbrëma, e cila i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) ta japë një opinion ligjor për detyrimet humanitare të Izraelit në Rripin e Gazës.

Rezoluta, e thirrur nga Norvegjia, i mori 137 vota pro, 12 kundër dhe 22 abstenime.

“Është e papranueshme që Izraeli ta bllokojë ndihmën humanitare për palestinezët që jetojnë nën okupim”, tha kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store.

Duke e penguar ndihmën e nevojshme, Izraeli po “e minon paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme”, shtoi ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide.

“Asnjë vend nuk është mbi ligjin. Izraeli nuk ka të drejtë t’i përjashtojë organizatat e OKB-së nga territori palestinez që është duke e okupuar jashtëligjshëm”, tha Edie.

Kërkesa për opinion ligjor do t’i dorëzohet tani Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Rezolutat e OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, por ato pasqyrojnë qëndrim ndërkombëtar.

Gaza është rrënuar si pasojë e luftës tokësore dhe ajrore të Izraelit gjatë një viti, e cila, sipas Izraelit, ka për qëllim çrrënjosjen e militantëve të Hamasit.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Në tetor, Parlamenti i Izraelit ia ndaloi veprimtarinë agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezët (UNRWA), duke thënë se disa punonjës të UNRWA-s kishin lidhje me Hamasin.Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.

Prej atëherë, lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb