Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për 30 qershorin dhe tregoi se çfarë ai përfaqësonte për socialistët. Por ndërsa pranoi që socialistët nuk kanë fituar një betejë zgjedhore, ai tha se ato zgjedhje treguan se Shqipëria nuk do të ketë më djegie mandatesh, apo parti molotovi.



Duke u ndalur tek punët e bëra nga qeveria, i pari i socialistëve gjeti rastin të bëjë edhe një “mea culpa” kur pranoi se ata jo vetëm nuk i kanë bërë disa punë, por edhe i kanë bërë keq disa të tjera.


“30 qershori nuk është arsye për tu ndjerë më të fortë, por për tu përulur shumë më tepër se sa jemi mësuar ndaj qytetarëve, për të reflektuar shumë më shumë nga sa e kemi bërë deri më sot, dhe për t’ju shërbyer atyre me mish e me shpirt. Ne nuk është se fituam një betejë zgjedhore të radhës për mandatin e ardhshëm të bashkive, por Shqipëria fitoi përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve, sepse Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh. Ata që e ndërmorën këtë aventurë e pësua. Nuk fituam ngaqë kemi bërë vetëm punë shumë të mira, se kemi bërë aq sa mjafton. Ne kemi bërë edhe punë gabim më mirë të mos i kishim bërë fare, madje ndonjë e kemi bërë dhe keq. Punët e bëra deri këtu nuk mjaftojnë më pas 30 qershorit. Rendimenti ynë qeverisës në cdo nivel nuk mjafton aspak, sidomos niveli i shërbimit të njerëzve të zakonshëm në këtë shtet”,- tha Rama.

Duke kërkuar reflektimin e të gjithë socialistëve, Rama tha se ata nuk duhet të lejojnë që njerëzit të humbin durimin me ta.

“Ta kuptojmë këtë sepse njerëzit do humbasin durimin, do jenë më pak të prirur t’i kuptojnë gabimet tona, s’do na i falin më kusuret, që na i kanë falur deri më 30 qershor. Ne kemi vetëm një meritë në fitoren historike të shtetit më 30 qershor, qëndruam në anën e duhur të historisë, bëmë udhëheqje në shtegun më të ngushtë. Kjo meritë është shprehje e natyrshme e asaj që ka në PS qysh në ditën e parë të krijimit të saj. PS do hyjë në zgjedhjet e veta të brendshme nga shtatori në çdo organizatë dhe nga janari në kongres. Synojmë hapjen e PS, gjithë lidershipi unë, i pari unë, deputetët, ministra e zv. ministra, kryetarë bashkish dhe të zgjedhur në këshilla bashkiakë, të zbresin në tokë në kuptimin e plotë të fjalës, në mënyrë që çdo organizatë socialiste të ketë mundësinë e komunikimit me ne”,- vijoi Rama.

(m.a/BalkanWeb)