TIRANË- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka zhvilluar sot një sërë takimesh me homologët e tij të vendeve të rajonit. Kështu Meta sot ka takuar kreun e Kuvendit të Sllovenisë, atë të Maqedonisë, Malit të Zi si dhe Zëvendës Presidentin e Parlamentit Europian, Ioan Mircea Pașcu.

Gjatë takimit me Zv.Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Ioan Mircea Pașcu, i cili mori pjesë në Sesionin e Dytë të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Meta shprehu falënderimet për vëmendjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian i kushton konsolidimit të SEECP dhe shprehu vullnetin në emër të Kryesisë Shqiptare për forcimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Zv. Presidenti i Parlamentit Evropian z. Ioan Mircea Pașcu e përgëzoi z. Meta për angazhimin maksimal të Kryesisë Shqiptare në funksion të Nismës dhe vuri në dukje se Parlamenti Evropian do të evaluojë opsionet e përforcimit të lidhjeve mes Brukselit dhe Asamblesë Parlamentare të SEECP.

META ME KREUN E PARLAMENTIT TË MALIT TË ZI: MARRËDHËNIET TONA MODEL BASHKËPUNIMI PËR GJITHË RAJONIN

Kryetari i Kuvendit, u takua sot edhe me kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapić. Meta e falënderoi  homologun e tij, Krivokapić për pjesëmarrjen dhe për kontributin që Mali i Zi jep në gjirin e nismave të rëndësishme rajonale siç është edhe SEECP.

Kreu i Kuvendit u shpreh se Shqipëria i çmon marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi, të cilat shërbejnë si një model bashkëpunimi për të gjithë rajonin. Në këtë drejtim, z. Meta rikonfirmoi mbështetjen shqiptare për integrimin euro-atlantik të Malit të Zi dhe theksoi se kjo perspektivë e përbashkët e forcon paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapić vlerësoi përmbylljen e Kryesisë Shqiptare të Asamblesë Parlamentare të SEECP dhe në këtë kuadër vuri në dukje se me avancimin e Malit të Zi drejt NATO-s dhe së bashku me Shqipërinë brenda Bashkimit Evropian, krijohet një rrip sigurie i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit tonë. Meta dhe Krivokapić ndanë bindjen se të dy parlamentet duhet të intensifikojnë shkëmbimet e tyre në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar.

KRYETARI I KUVENDIT, ILIR META PRET HOMOLOGUN MAQEDONAS TRAJKO VELJANOSKI

Gjithashtu gjatë ditës së sotme, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti në një takim dypalësh Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanoski. Meta i uroi mirëseardhjen z. Veljanoski në Tiranë dhe shprehu mirënjohjen për pjesëmarrjen dhe kontributin e Maqedonisë në Asamblenë Parlamentare të SEECP, funksionimi i të cilës i shërben forcimit të rajonit tonë.

Kreu i Kuvendit u shpreh se Shqipëria dëshiron dhe mbështet stabilitetin e Maqedonisë dhe në këtë drejtim mbështet avancimin e procesit të integrimit euro-atlantik të vendit fqinj, në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe në shërbim të paqes e stabilitetit rajonal.

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, z. Trajko Veljanoski shprehu vlerësimin për punën e Kryesisë Shqiptare të Asamblesë Parlamentare të SEECP dhe në këtë kuadër theksoi se intensifikimi i shkëmbimeve mes vendeve tona i shërben cilësisë së bashkëpunimit ekonomik dhe konsolidimit të korridoreve strategjike në rajon.

META ME KRYETARIN E PARLAMENTIT TË SLLOVENISË: MIRËNJOHJE PËR KONTRIBUTIN NË ZHVILLIMIN E KOSOVËS

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë Milan Brglez, Meta i shprehu

falënderimet për pjesëmarrjen në Asamblenë Parlamentare të SEECP dhe vlerësoi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovenisë i shërbejnë forcimit të dimensionit evropian të kësaj nisme të rëndësishme rajonale.

Kreu i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e Sllovenisë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për kontributin slloven në zhvillimin demokratik e ekonomik të Kosovës.

Kryetari i Parlamentit të Sllovenisë z. Milan Brglez vlerësoi përmbylljen me sukses të Kryesisë Shqiptare të SEECP dhe bëri një vlerësim të veçantë për rolin e rëndësishëm konstruktiv që Shqipëria luan në rajon. Duke vlerësuar nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe, z. Brglez shprehu dëshirën e Sllovenisë për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike dhe investimeve mes dy vendeve. Në përfundim z. Meta dhe z. Brglez diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe ato ndërkombëtare.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: