KOSOVË

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot asamblistin shqiptar të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. Kryeparlamentari Veseli tha se me Gjonajn diskutuan për zhvillimet politike, arritjet e Kosovës në shumë fusha dhe sfidat në të ardhmen.

Veseli e konsideroi të një rëndësie të veçantë integrimin dhe depërtimin e shqiptarëve në jetën politike e institucionale të vendeve perëndimore në të cilat jetojnë dhe veprojnë. Kreu i Kuvendit tha se rasti i Mark Gjonajt është shembulli më i mirë i këtij integrimi, kjo edhe falë mundësive që shteti amerikan u jep të gjithë shtetasve të tij, raportojnë mediat kosovare.

Veseli shtoi se shqiptarët në Amerikë vazhdojnë të shërbejnë si një urë e fuqishme lidhjeje midis SHBA-së dhe vendeve prej nga vijnë.

Mes tjerash ai pohoi se diaspora vazhdon të mbetet një prej aseteve kryesore të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa theksoi nevojën për gjetjen e mënyrave për investim më të madh në Kosovë të ndërmarrësve shqiptarë në diasporë. Asamblisti Mark Gjonaj, nga ana e tij, e njoftoi kryeparlementarin Veseli për punën dhe angazhimet e tij në jetën politike amerikane.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb