Spërkatja me bojë të zezë e murit të Ministrisë së Brendshme të vendit nga një protestues ishte gjëja e re dhe më e spikatur e protestës së djeshme përpara Kuvendit. Të arrish të konsiderosh çast të rëndësishëm një detaj të tillë do të thotë se zjarrmia e protestës opozitare ka filluar të bjerë. Akuzat-kuaj për qeverinë e krimit, drogës dhe vjedhjes, ashtu të përsëritura protestë pas proteste dhe pa forcën e risisë, ngjanin si të lodhura në gojën e folësve dje. Njëlloj si dy gishtat e ngritur lart. Për të mos folur për efektin mbi dëgjuesit. Rruga e gjatë e protestave të përjavshme qytetare përpara Kuvendit është një sport i vështirë. Kërkon shumë parapërgatitje. Për të bindur jo vetëm militantët që ke me vete në marshim, të ndihmuar nga bori tifozash(ata praktikisht shërbejnë si figurantë të spektaklit-protestë), por ata qindra e mijëra qytetarë që të ndjekin përmes kamerave televizive. Argumentet e paprovuara kurrë të përfshirjes në tregtinë e drogës dhe në aktivitetet kriminale, apo të blerjes masive të votave në zgjedhje nga kjo qeveri e sotme, tani kërkojnë mbështetje serioze për betejën e gjatë. Opozita jashtë parlamentit duhet të zgjedhë kauzën ekonomike si motor shtesë. Aty ku u dhemb vërtet njerëzve. Tek mungesa e perspektivës, e shpresës për të ndërtuar një jetë dinjitoze në vendin tënd. Tek mungesa e mbështetjes së qenësishme shtetërore të prodhuesve shqiptarë, atyre që sjellin vlerën e shtuar në ekonominë tonë. Tek humbëtira e shpresës për hapjen e mijëra vendeve të reja të punës. Tek mungesa e shanseve për të depërtuar në treg ose për të marrë oferta dhe para shtetërore për mallin që prodhon apo shërbimin që kryen, për shkak se pothuajse të gjithë tenderët qeveritarë janë të trukuar dhe fituesi i paracaktuar. Asnjëherë në këto gjashtë vjet opozita nuk i ka marrë seriozisht këto mungesa, këto shkelje të mëdha të një boshti politike zhvillimi ekonomik për vendin. Është mjaftuar me disa hartime-denoncime në konferenca shtypi, ku thjesht ka prodhuar me qindra insinuata e sulme për paudhësi hipotetike, se sa fakte kokëforta.


Asnjëherë gjetjet e mirëargumentuara të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shumicën e mbi 150 kontrolleve që ai kryen çdo vit nuk i ka bërë kuaj betejë të veprimit të saj për të goditur papërgjegjshmërinë ekstreme në qeverisjen e parave të shqiptarëve. Kur normalisht në çdo vend të botës opozita këtë bën. Tek ne opozita jonë as edhe merr mundimin t’i lexojë raportet e kontrolleve të institucionit të kontrollit shtetëror më të lartë të vendit. Madje disa shifrave përmbledhëse të këtyre raporteve përfaqësues të opozitës ka patur raste që edhe u janë referuar gabim. Ose nga moskuptimi, ose nga mosleximi i plotë. Në këtë mënyrë nuk mund të ngjallësh shpresë ose, akoma dhe më tepër besim, në sytë e qytetarëve. Janë të rrallë ata që ende shpresojnë se mund të ndryshojë diçka në qeverisje nga protestat e përjavshme të opozitës sonë. Shumica e qytetarëve të Tiranës tanimë kanë nisur ta shikojnë me tepër si një bezdi të rëndimit të trafikut. Ky është problemi më madhor dhe sfida më e fortë e opozitës sot. Që me protestat-marshime nuk po arrin të ngjallë frymë opozitare. Prandaj dhe(nëse nuk e ka të programuar vetë këtë rënie graduale të stinës së protestave deri në greminën e rutinës), opozita në rrugë duhet të ndryshojë marsh. Të mbështetet më shumë në fjalime me megafon, në akuza dhe kërkesa me natyrë ekonomike. Kjo mund të rrezikojë deri diku të prishë imazhin e një opozite gati-gati revolucionare mburojë e mosprekjes së drejtuesve të vet, por ama i bën argumentet e saj më pranë halleve të përditshme të njerëzve. E kthen opozitën në rrugë nga një trupë të përbetuar për ruajtjen e një grali të shenjtë që nuk kuptohet mirë se çfarë është, në një zëdhënëse të rreziqeve të hendeqeve të mëdha ekonomike që kemi. Pasiguritë dhe problemet ekonomike kanë rrëzuar nëntë nga dhjetë qeveri në 78 të tilla që janë ndërruar me rotacion partish politike në 32 vende të Evropës këto 10 vitet e fundit(statistikë e Institutit Evropian për Zhvillim Ekonomik me qendër në Vjenë). Nuk ka pse vendi ynë të bëjë përjashtim. Problemet e sotme ekonomike të shqiptarëve janë temat më të rëndësishme dhe më me vlerë të shoqërisë sonë. Opozita në rrugë duhet t’i përqafojë dhe mishërojë ato fort, nëse do karburant për marshimet e saj të ardhshme. Ndryshe nuk do të kemi asgjë të re nga fronti i protestave



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb