Policia e Shtetit vijon aksionet e saj kundër kultivimit të bimëve narkotike, ndërsa sot janë goditur dy raste të tjera në qarkun e Vlorës dhe atë të Shkodrës. Kështu Policia e Vlorës ka zbuluar dhe më pas asgjësuar 10 parcela me 997 bimë narkotike kanabis në dy fshatra.

Në fshatin Treblovë, Vlorë, janë konstatuar në mesin e pyllit të këtij fshati 9 parcela me 897 bimë narkotike në vendin e quajtur “Kalaja”, në parcela të hapura posaçërisht për mbjelljen e tyre, ku lartësia varionte nga 30 cm deri në 100 cm.

Në fshatin Shalës, të Sarandës është konstatuar 1 parcelë me 100 rrënjë bimësh narkotike, të cilat ishin të mbjella në një sipërfaqe toke pa pronarë, ku lartësia e tyre arrinte deri në 75 cm. Policia bëri të mundur asgjësimin e bimëve narkotike me djegie dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.

Nga puna e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të operacioneve antikanabis, u ushtrua kontroll i imtësishëm territori në disa zona të qarkut. Në fshatin Mazrek, janë gjetur dhe asgjësuar 9 parcela me 734 rrënjë bimë Canabiss Sattiva.

Këto bimë ishin me lartësi 150-170 cm. Në fshatin Vig Mnelë, në vendin e quajtur Kakërr, janë gjetur dhe asgjësuar 4 parcela me 160 rrënjë bimë narkotike, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: