TROPOJË- Policia e Shtetit ka vijuar operacionet anti-kanabis në të gjithë vendin. Kështu mësohet se në 4 operacione të ndryshme në 4 rrethe janë asgjësuar në total 2630 bimë kanabis. Ndërkohë që janë vënë në pranga 4 persona dhe 2 janë shpallur në kërkim.


ASGJËSOHEN NË TROPOJË 900 BIMË NARKOTIKE KANABIS SATIVA, NË KËRKIM NJË PERSON
Blutë e Tropojës kanë asgjësuar rreth 900 bimë kanabis sativa, ndërsa kanë shpallur në kërkim një person. Sipas burimeve zyrtare, është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Kërrnaja”, ku mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, në pyllin e fshatit Kërrnajë, në vendin e quajtur “Përroi i Kamës”, janë gjetur 8 parcela me 900 bimë narkotike.


Bimët varionin deri në 120 cm, ndërsa ishin kultivuar në parcela të hapura rishtas në afërsi të livadheve në përdorim të shtetasit Hazir Madani. Në përfundim të veprimeve hetimore ka filluar procedim penal dhe është bërë shpallja në kërkim për Hazir Madanin.


POLICIA E VLORËS ASGJËSON 185 BIMË NARKOTIKE NË GUMENICË
Rreth 185 bimë narkotike kanabis sativa janë zbuluar nga Policia e Vlorës në fshatin Gumenicë. Në vijim të operacioneve kundër kultivimit të bimëve narkotike, blutë e Vlorës, kanë ushtruar një kontroll në fshatin Gumenicë dhe në vendin e quajtur “Përroi i Zhukës”, në një zonë të pyllëzuar është konstatuar një parcelë e mbjellë me kanabis.
Bimët shkonin në një lartësi deri në 120 cm. U bë asgjësimi i plotë i bimëve narkotike me djegie ndërsa policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

KRUJË, ASGJËSOHEN 445 BIMË KANABIS, ARRESTOHEN 3 PERSONA
Policia e Krujës ka asgjësuar 445 bimë narkotike kanabis sative dhe ka vënë në pranga 3 persona. Sipas të dhënave zyrtare, kanabisi është gjetur në Zgërdhesh, i mbjellë në 5 parcela. Në pranga janë vënë A.B., 17 vjeç si dhe Astrit dhe Dashamir Bazja.

ZBULOHEN 1100 KANABIS NË GJIROKASTËR, NJË NË PRANGA E NJË NË KËRKIM
Ndërkohë në një tjetër operacion, Policia e Gjirokastrës ka zbuluar dhe asgjësuar 1100 bimë narkotike kanabis sativa në fshatin Golem në vendin e quajtur “Murrizi i Poshtëm”. Ndërkaq është vënë në pranga 50-vjeçari Vladimir Lazaj dhe është shpallur në kërkim Lavdosh Islamaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: