DURRES- Aleanca për Shqipërinë Europiane ka zhvilluar pasditen e sotme një takim përmbyllës të fushatës elektorale në qytetin e Durrësit. Kryeministri Edi Rama akuzoi ish kryeministrin Sali Berisha se e mbajti të bllokuar qytetin bregdetar. Ai u shpreh se qeveria e djathtë e la Durrësin në harresë.

“Dy vjet më parë ky shesh ishte fytyra e rrënimit, plot pluhur dhe e harresës prej një qeverie e cila i braktisi qytetet. Ndërsa tek ato shkallë ku sot, Vangjushi kishte filluar të niste me kursimet e buxhetit të mjeruar të bashkisë restaurimin këtij sheshi. Saliu donte ta mbante qytetin të rrethuar. Të rrethuar ishin të gjithë pa përjashtim edhe banorët e zonës së Durrësit të ri siç e quajmë ne, ose Kënetës siç e quan PD edhe sot e gjithë ditën.

Pavarësisht se ata votonin PD ishin viktima të rrethimit bllokues njësoj si të tjerët sepse ishin fajtorë njëlloj si gjithë demokratët e tjerë që kishin fatkeqësinë të jetonin në kështjellat ku drejtonin socialistët. Ishim viktimë e pushtetit më anti- urban, më anti- mjedis, më antisocial që ka pasur ndonjëherë ky vend. Një pushtet që nuk urrente Durrësin por trupin e qytetit dhe çdo formë urbanizimi që mund ti jepte qytetit.

Një pushtet sakat në zemër, dhe bosh në kokë, që ikte dhe vinte nëpër botë nga Aeroporti i Rinasit dhe nuk i bënte përshtypje rruga e hyrjes në Shqipëri e mbushur me ferra.”- u shpreh Rama.

Kryeministri Rama tha se qeveria e kaluar e la vendin në një situatë të vështirë, ndërsa tha se me punë do të kthehen në drejtimin e duhur të gjitha bashkitë e reja në vend, pas ndarjes së re territoriale.

“E lanë skuadrën tonë kombëtare në pikën për të emigruar jashtë për të luajtur, se nuk kishte stadium për ta pranuar UEFA. Janë pafund ato që mundtë tregohen se çfarë i punuan ata trupit të qytetin e mabrë vendit, që sot është i mbushur me plagë. Plagët e tyre janë ende kudo, para syve tanë. Do duhet kohë, mund e sakrifica, për t’i çuar bashkitë tona të reja në drejtimin e duhur”, tha Rama.

META: SHQIPTARËT NUK VOTOJNË MË PËR SHPIFËSIT, POR PËR PROGRAMET KONKRETE
Duke shprehur mbështetjen për kandidaturën e Vangjush Dakos për kreun e qytetit bregdetar, kryetari i LSI-së Ilir Meta tha se vota e 21 qershorit është shumë e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve.

“ASHE nuk është për të mundur qaramanët, të cilët janë kthyer në një bandë shpifësish. Janë trembur nga kjo forcë e madhe, nga kjo olerancë që ne kemi treguar. Pse nuk dalin të thotë se me rëndësi janë standardet dhe jo fitorja. Po ata e dinë shumë mirë se shqiptarët nuk votojnë më për shpifës, por për programe konkrete. Këto standarde do të jenë të pranishme në të gjithë bashkinë e madhe të Durrësit.

BLENDI KLOSI: DAKO KA PROJEKTE KONKRETE, DO FITOJMË BINDSHËM
Deputeti i majtë, Blendi Klosi, ndërsa shprehu mbështetjen për kandidatin Vangjush Dako për Durrësin, tha se ai ka programe konkrete për këtë qytet.

“Fitorja jonë do të jetë madhështore. Dako ka treguar vullnet dhe angazhim në këto vite në krye të bashkisë së Durrësit. Ai ka një projekt konkret për qytetin. Vangjushi e do këtë qytet, dhe ka hartuar projekte madhështore. Dashuria që ka Vangjushi tregohet në çdo detaj. Ne kemi një aleancë të mishëruar më së miri në bashkëpunimin dhe mbështetjen e kandidatëve”, tha Klosi.

(el.sp/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb