LEZHË- Pas Rrëshenit, Aleanca për Shqipërinë Europiane është ndalur në qytetin e besëlidhjes, Lezhë. Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar qytetarëve të Lezhës votat jo vetëm për kandidatin Viktor Tusha, për të cilin tha se është 100% i PS-së siç është edhe i LSI-së por edhe për Këshillin Bashkiak, në mënyrë që sipas tij të vazhdohet projekti i ASHE-së.

“Viktor Tusha është 100% kandidati i PS-së siç është dhe i LSI-së dhe i të gjitha partive të Koalicionit. Duhet ti japim Viktorit mbështetje edhe në Këshillin Bashkiak të Lezhës. Për këtë arsye PS dhe LSI do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të marrë sa më shumë vota për kandidatët e tyre për Këshillat. Sot Këshillat bashkiakë të fragmentuar. Në shumë komuna anëtarë të PS-së, mund të ishin anëtarë të shumë partive. Sot dimensioni është komplet tjetër sepse janë vetëm 61 bashki dhe bashkia e Lezhës është shumë herë më e madhe dhe vota për Këshillin nuk është thjesht votë për një person apo shumë persona por për një projekt, projektin e ASHE. Dua të theksoj fort se ne në çdo ditë të kësaj fushate po thellojmë qartësisht dallimin me kundërshtarët tanë. Kundërshtarët tanë bëjnë një fushatë sherri, një fushatë kundër qeverisë. Kjo nuk është fushata kundër qeverisë, por për të investuar votën tek kandidati më i mirë. Flasin për çmimin e energjisë, po ça lidhje ka çmimi me komunitetin, me kryetarin e bashkisë. Ça lidhje ka, ua them unë. Fushata e tyre është fushatë në tym. Vota e 21 qershorit është votë për të përcaktuar drejtimin e komunitetit, drejtimin e bashkisë së re. Jo votë për Shqupin por për familjen shqiptare në Lezhë, në komunat e deri sotme dhe njësitë e nesërme administrative të Bashkisë së Lezhës. Është votë për ti dhënë përgjigje disa pyetjeve”, theksoi Rama.

Rama akuzoi opozitën se nuk di të projektojnë të ardhmen e komunitetit. Ai u shpreh se opozita nuk di punë por vetëm sherr. “Po të doni që Lezha të bëhet si Shënkolli shkoni votoni atë. Kundërshtarët tanë bëjnë këtë lloj fushate se nuk dinë të bëjnë fushatë tjetër. Nuk ja kanë haberin se çdo të thotë të projektosh të ardhmen e një komuniteti. Po ta kishin haberin diku do e kishin bërë. Ndërkohë më të mirin e tyre, për taksirat kanë atë të Tiranës. Këto katër vjet në Tiranë nuk është bërë asnjë gjë. Ka nga ata që nuk bëhen pishman kurrë se ju mjafton të tundin flamurin e PD në shtëpi dhe kënaqen. Ne nuk shohim me sytë e SHQUP-it dhe nuk dëgjojmë me veshët e shqup-it. Me votën e 21 qershorit…’kush ta hajë ta hajë’, në rast se lezhjanët e hanë atë tek e votojnë atë që s’ka lidhje me projektet që ka nevojë Lezha, por me SHQUP-in, atëherë sherri vjen edhe këtu… S’dinë të bënë punë, ama për sherr janë të parët…Mënyra si i bëjnë ato gjërat është ‘nis e lëri rrugëve’. Ne kemi tjetër vizion…”, tha Rama.

Rama premtoi para lezhjanëve mbështetjen e sipërmarrjes.
“Ne kemi kaluar në mbështetje të sipërmarrjes në fshat, do ta intensifikojmë në gjysmën e dytë të këtij viti, në mënyrë që ajo formulë që na ka dhënë shumë rezultat të ripërsëritet. Kemi financuar 61 projekte të tilla, sot kemi 61 sipërmarrje shumë të rëndësishme”.

Ndër të tjera kryeministri premtoi zgjidhjen e problemit të menaxhimit të plehrave nëpër komuna. Përmes batutave ai tha se, “Puna e plehrave u bë cirk, njëri i merr i çon tek komuna tjetër dhe plehrat bëjnë xhiro se askush nuk i menaxhon dot. Ne jemi për një sistem organizimi modern të shtetit. Bashkitë do administrojnë kanalet, do krijohet një njësi e madhe, pikë e madhe grumbullimi dhe përpunimi të mbeturinave. Do krijojmë rajone të menaxhimit. Ata që merren me rrugë, kanë bërë sot zero mirëmbajtje”,- shtoi Rama.

Rama i ftoi banorët e Lezhës që në këto zgjedhje të votojnë për kandidatët dhe jo për flamurin e partisë. Duke krahasuar kandidatët, Rama tha se prapa Tushës vjen qeveria, ndërsa pas kandidatit të së djathtës vjen sherri.
“Këto zgjedhje do vendosin shumë për ujitjen dhe kullimin. Lëreni flamurin e partisë po shihni kandidatin, shihni kë ka mbrapa Viktor Tusha, ai ka mbrapa qeverinë, ai tjetri ka sherr, nëse doni punë Viktori është garanti, ai tjetri sjell sherr. Po votuat PD do merrni veten në qafë, se ata s’dinë të bëjnë punë”.

Rama shtoi ndër të tjera se do vijojë reformën në arsim shëndetësi dhe atë në fushën e energjisë.

Kreu i qeverisë nuk ngurojë ta cilësojë këtë si fushatën e grave, të cilave nëpërmjet batutave iu kërkoi të mos i lënë burrat të ikin në drejtimin e gabuar.
“Gratë dhe vajzat ta kuptojnë se kjo është fushata e grave dhe vajzave më shumë se e burrave, kanë përgjegjësi ata për mënyrën se si kanë shkuar punët. Shyqyr që e vumë në ligj 50 me 50 se këtu s’do kishte grua në këmbë..I bëj thirre gjithë grave që i kanë burrat demokratë, mos i lini në drejtimin e gabuar”.

(a.n/m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: