DURRËS- Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Durrës ku ka prezantuar zyrtarisht sëbashku me aleatin e tij Ilir Meta, kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane, Vangjush Dakon. Kryeministri Rama tha se Partia Demokratike i ka përdorur bashkitë për ti bërë luftë qeverisë, ndërsa në bashkitë e majta ka bllokuar projektet. Rama theksoi se në Durrës janë planifikuar në 18 muaj më shumë investime se 20 vjet.

“Faleminderit për këtë mikpritje. Jam shumë i kënaqur sot që bashkë me kryetarin jemi në këtë takim për këtë rrugëtim të nisur vetëm 18 muaj më parë. Rrugëtimi që keni bërë me Vangjushin është më i gjatë se kaq, por për mua dhe shumë të tjerë, puna ka nisur realisht vetëm 18 muaj më parë, sepse për fat të keq, bashkitë e drejtuara nga socialistët, pala tjetër i ka konsideruar si kështjella për tu marrë. Me Durrësin ka ndodhur një rrethim nga të gjitha institucionet për ti zënë frymën. Qytetarët durrsakë e dinë mirë se çfarë beteje u bë për sheshin kryesor të Durrësit, një projekt që u bllokua me tërbim dhe faktikisht ai bllokim u kthye në bumerang në zgjedhjet e 23 qershorit ku aleanca jonë fitoi shumë bindshëm. Në 18 muaj ne kemi dhënë mbështetje për Durrësin, më shumë se 20 vjet të marra së bashku dhe e kemi mbajtur atë zotim për financimet që qeveria do jepte për Durrësin”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se vota e 23 qershorit nuk është votë politike dhe nuk ndryshon qeverinë por qytetin.

“Mundësia për të bërë më shumë është para nesh dhe tani që e kemi çuar në drejtimin e duhur, besoj se do kemi edhe një mbështetje më të madhe seç patëm 4 vjet më parë për Vangjushin. Këto nuk janë zgjedhje politike. Vota në këto zgjedhje nuk ndryshon asgjë në Tiranë, këto janë zgjidhje se çfarë do të bëhet për qytetin. Janë zgjedhje për të vendosur se sa përmes bashkëpunimit me qeverinë, Bashkia e Durrësit do të jetë në gjendje të stimulojë investimet private. Në këto zgjedhje realisht qytetarët që do të shkojnë të votojnë më 21 qershor do të zgjedhin një kryepunëtor dhe nuk do të vendosin ngjyrën politike që ka më shumë apo më pak vota”, u shpreh kryeministri.

Rama ka treguar sërish historinë e kryebashkiakut të djathtë që i ka dërguar një mesazh ku i kërkonte takim, por nuk shkoi dot se kishte frikë se e shihnin.

“Demokratëve do tu tregoj një histori të vogël, se pse nuk duhet ta votojnë kandidaten e PD-së dhe asnjë kandidat të PD-së. Më çonte mesazh një kryebashkiak, “komuniteti që unë drejtoj ka shumë probleme, dua t’ju takoj”. I thashë të pres nesër në kryeministri, më tha nuk vij dot se më shohin. Kryetari i Bashkisë nuk vinte dot në kryeministri se e shikonte Saliu, nuk po them Luli se ata nuk e pyesnin aq shumë. E shikonte Saliu dhe prishej një pakt. PD nuk do njerëz të punojnë për qytetin por për ti bërë luftë politike qeverisë. Në komunat e PD-së, nuk e japin ndihmën ekonomike dhe u thonë banorëve nuk e ka sjellë qeveria, duan të stimulojnë pakënaqësinë dhe nihilizmin. Të votosh për PD-në është ta çosh votën kot. 18 muajt nuk na kanë dhënë dhe nuk mund të na jepnin rezultatet përfundimtare të këtij projekti, por kanë bërë të mundur që Shqipëria të marrë drejtimin e duhur. Po iu jap një shembull: Energjinë, për herë të parë në muajin prill, kompania ka dalë me fitim, jo sepse ka arritur të mbledhë të gjitha detyrimet, por sepse konsumi i energjisë ka rënë në mënyrë të vazhdueshme. Kemi hyrë në një fazë të re që energjia nuk harxhohet kot e më kot”, tha Rama.

Sipas Ramës “Dako do të jetë sërish kryetar bashkie, i bindur se do të bëjmë më shumë se sa kemi bërë këto 18 muaj i bindur se këtu në Durrës gjendet një nga menaxherët më të zotë që ka vendi ynë”.

Në përfundim Rama tha se Tirana do ti shlyejë Durrësit borxhet e marra në 20 vite.

“I vetmi rrezik për një kandidat që e kërkon votën për të tretën herë është që të mos ketë emocion. Unë ndjeva emocion në zërin e tij dhe ishte shprehja më kuptimplotë e faktit se Vangjushi është shumë i lidhur me qytetarin dhe se e ndjen borxhin që ende nuk ja ka shlyer qytetit. Qeveria në Tiranë dhe Vangjushi e di se ka bërë shumë pak në krahasim me atë që ka marrë nga ky qytet. Bëni të gjithë punën tuaj që të gjithë ta dinë se së bashku Aleanca jonë, qeveria jonë, Bashkia e Durrësit, do t’ia lajmë çdo borxh që Tirana ia ka Durrësit në 20 e kusur vjet”, tha ai.

Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se është “Gabim i madh të synosh bashkitë për ti bërë luftë qeverisë”. “Jam i bindur se bashkëpunimi mes qeverisë dhe bashkisë së Durrësit, ekzistueses ka dhënë frytet e veta gjatë këtyre 18 muajve, por më shumë është mbjellë për të korrur. Në emër edhe të LSI-së i jap mbështetjen më të madhe për fitoren e Vangjush Dakos në Bashkinë e Durrësit. Besoj se do jetë fitore e madhe. Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Konflikti politik i dëmshëm për pushtetin lokal”, tha Meta.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb