KORÇË-Aleanca për Shqipërinë Europiane u ndal sot për të prezantuar kandidatin në qytetin e Korçës. “Korça është dhe do të jetë Parisi i vogël i Shqipërisë.” Me këtë deklaratë kryeministri Edi Rama kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Korçës për kandidatin e majtë Sotiraq Filo. Gjatë fjalës së tij Rama theksoi se nuk po kërcënon mbështetësit e kandidatëve të opozitës por po jep argumente se përse këta të fundit nuk janë personat e duhur për të drejtuar bashkitë.


“Vijmë këtu për të kërkuar mbështetjen e korçarëve për kryetarin tonë të bashkisë. Kemi realizuar një zotim që e kishim marrë për 4 vitet e ardhshme. Zotimin që do e mbështesnin Korçën si qeveri në 4 vitet e ardhshme më shumë se në 20 vite të mara sëbashku por e kemi realizuar për 18 muaj. Nëse shikoni mbështetjen që i kemi dhënë qytetit dhe projektet është e qartë se të gjitha financimet e qeverisë në 20 vjet janë më pak se këto 18 muaj. Po të kujtojmë atë që Korça u bë një fushë beteje kush e ngulte e kush e shkulte pemën. Ka ndryshuar marrëdhënia e qeverisë në Tiranë me këtë qytet që jo më kot hyri në histori dhe u përcoll brez pas brezi si Parisi i vogël, se Korça mund dhe do bëhet Parisi i vogël i Shqipërisë.”- u shpreh Rama.


Më tej Rama ironizoi kandidatin e opozitës Rektorin Gjergji Mero. “Më janë qepur nga mbrapa duke më thënë se po i kërcënoj ata që duan të votojnë kandidatin e PD. Është votë e hedhur kot, por ky nuk është kërcënim është argument. Këtu kanë sjellë një nga Devolli, agronom ishte Rektor universiteti dhe mbahet mend vetëm për një gjë që fakultetin agronomisë e katandisi sa e mbylli fare. Le ta zemë se është agronom i zoti, burrë i mirë, nuke njoh fare, për çfarë u duhet. SHQUP-i nuk po kërkon mbështetje për kandidatë që kanë një plan, kanë disa ide dhe kanë një vullnet për të çuar më tutje frymën qytetare. SHQUP-i po kërkon të ngulë në çdo bashki një zëdhënës të dalë te dera të bëj konferenca shtypi të thotë sa keq, keq e mos më keq, qeveria më e poshtër më shpirt lig prandaj oburra të rrëzojmë qeverinë. Këtu jemi në një fushatë për ti dhënë përgjigje disa pyetjeve se kush është njeriu i duhur.”- u shpreh Rama.


Duke u ndalur tek investimet e bëra deri më tani në qytetin e Korçës, kreu i PS premtoi vijimin e tyre edhe në vitet e ardhshme.

“Nëse në 18 muaj ne bëmë për Korçën me shumë se gjithë ato vite para se ne të vinim në detyrë, tregon se jemi në drejtimin e duhur. ne do të bëjmë shumë më tepër se ç’kemi bërë deri më tani. Zotimet ne nuk i kemi marrë për 18 muaj, a shërimi i gjithë atyre plagëve që trashëguam, nuk bëhen në 18 muaj, por treguam se kthesa është marrë, dhe do vazhdojmë punën. Vota e 21 qershorit do të jetë një votë përtej ndarjes partiake, sepse duhet të jetë një votë për qytetin, bashkinë e re, zhvillimin ekonomik e social, që do realizohet nga lidershipi i bashkisë së re”, tha Rama.

META: OPOZITA I KA TË GJITHË MUNDËSITË PËR LUFTË NË KUVEND, S’KA PSE T’I DOJË BASHKITË PËR KËTË
Kreu i LSI, Ilir Meta, i është drejtuar sërish opozitës nga Korça, duke u shprehur se në Kuvend i janë krijuar të gjitha hapësirat për debat, dhe “nuk ka pse t’i kërkojë bashkitë për të penguar qeverinë”.

“Opozita nuk ka pse t’i kërkojë bashkitë për të bërë luftë politike me qeverinë, pasi ia kemi krijuar të gjithë kushtet dhe hapësirat në Kuvend. Sa i përket bashkive ato duhet të ecin në drejtimin e duhur, pasi ato kanë në dorë fatin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Kur shëtita në shëtitoren e Korçës mu duk vetja si në një qytet evropian. Me siguri Berisha nuk ka kaluar në këtë shëtitore, pasi me siguri do të mendonte ndryshe. Ne synojmë politika për nxitjen e punësimit në Korçë”, tha Meta.

Por nuk kanë munguar as batutat në këtë takim, ku para se t’i jepte fjalën kreut të qeverisë, Meta tha se “Kam hall se do mërziten vlonjatët, se kryeministri më shumë vjen në Korçë sesa shkon në Vlorë”.

DADE: DO BËJMË MË TË MIRËN PËR KORÇËN
“Jam deputete e Korçës, dhe po e quaj edhe unë veten korçare, mamaja ime ka jetuar dy vite në këtë qytet. Ne do të bëjmë atë që është më e mirë për Korçën”, tha deputetja Arta Dade.

PELESHI: NGA KULLA QË KANË SHARË DO TË MBAHEN FJALIME, FILO DO PUNOJË NË DREJTIMIN E DUHUR
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi se ASHE ka një program të qartë për të transformuar Shqipërinë. Ai u shpreh se kandidati i majtë për Bashkinë e Korçës Sotiraq Filo do punojë në drejtimin e duhur.

“Nga kulla qe e kanë sharë do bëhen fjalime. Korça sot nuk është qytet i korçarëve por është qyteti i preferuar i gjithë shqiptarëve. Jemi duke mbyllur rikonstruksionin dhe disa projekte që kanë qenë ëndrra e disa viteve për qytetarët. Gjej momentin të inkurajoj gjithë biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh të investojnë në këtë qytet që e ka hipotekuar të ardhmen e tij. Parku është një nga parqet më të bukura në Shqipëri. Ëndrra ime u kthye në një projekt të bashkisë dhe sot po kthehet në realitet.

Korça i ka të gjitha mundësitë të kthehet në qendrën më të rëndësishme të Shqipërisë Juglindore. Projekte të mëdha kalojnë në Korçë, projekti i gazsjellësit TAP. Ky projekt do e lidhe Korçën me Beratin dhe Vlorën në një distancë 3 herë më të vogël sa është sot. Nesër do jetë qyteti me papunësinë më të vogël në Shqipëri.”-u shpreh Peleshi.

(a.n/el.sp/BalkanWeb)