Presidenti i vendit Ilir Meta, i ftuar në emisionin “Front linë” në “News 24” nga gazetarja Marsela Karapanço, deklaroi se zgjedhjet më 25 prill do të bëhen, pavarësisht se mund të ketë provokime.
Meta theksoi se zgjedhjet do të bëhen, edhe pse mund të ketë provokime.
“Si mund të ketë njeri më të nderuar se unë në Shqipëri, që jam ulur në karrigen e numrit një të shtetit. Karrigia e presidentit i takon popullit dhe unë i shërbej popullit. Ky është një zhvillim në të drejtën e partive. Unë një gjë i kam bërë të qartë Bashës dhe zonjës kryemadhi. Zgjedhjet do të bëhen, pavarësisht se ata mund të provokohen. Zgjedhjet do të bëhen më 25 prill, askujt të mos i shkojë mendja të bëjë grusht shteti. Kemi qenë në grusht shteti pa pushim, ka të bëjë me kapjen e shtetit. Zgjedhjet do bëhen më 25 prill. Çdo shqiptar të tregojë përgjegjësi për veten, për familjen dhe atdheun”, u shpreh Meta.
Ilir Meta nënvizoi se është i gatshëm që të bashkëpunojë me çdo parti politike për të mbrojtur zgjedhjet. Ai shtoi se nëse qytetarët nuk kanë kë të votojnë, do kenë dikë që të ndëshkojnë.
“Basha dhe Kryemadhi kanë bërë një gabim shumë të rëndë. Të mos presin zgjedhje suedeze dhe daneze, unë jam gati të bashkëpunoj me ta për të mbrojtur zgjedhjet. Ajo që nuk i fal zonjës Kryemadhi si kryetare e LSI-së është lënia e mandateve në parlament. Në demokraci nuk ka asnjë centimetër pas, sepse boshllëqet plotësohen. Prandaj, sot është situatë kaq dëshpëruese. Unë jam president dhe më intereson që vota e presidentit dhe vota e çdo qytetari në Shqipëri të jetë e barabartë. Çdo shqiptar, në këtë moment historik, për shtetin tonë që ka degraduar turpshëm në 100 vjet, të përfundojmë ne 10 vjet mbrapa Serbisë dhe Malit të Zi për negociata e zgjedhjet janë çdo gjë. Vota e lirë është çdo gjë e çdo qytetar që shet votën, s’ka të drejtë të kërkojë gjë, sepse është shitur si lopë. Kush nuk voton s’ka të drejtë ankohesh. Ka nga ata që thonë se s’kemi kë të votojnë. Dikë për të ndëshkuar nuk ke, për të ndëshkuar. Trimi vdes njëherë”, tha Meta.
(d.xh/ Balkanweb)