Seanca e djeshme parlamentare i kaloi kufijtë e një “Show” apo programi komik, pasi të një tempulli të demokracisë i ka kaluar prej kohësh, duke degjeneruar në një fjalor aspak të përshtatshëm për këdo që e dëgjonte. Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në kreu IX, “Rregulli dhe sjellja në Kuvend”, neni 62, neni 63, neni 64 dhe 65 i referohet pikërisht komunikimit të përshtatshëm, dënimit të përdorimit të gjuhës ofenduese dhe joparlamentare, sjelljes në mënyrë të padenjë si edhe rrëmujës të shkaktuar në Kuvend.

Por, ofendimet dhe fjalori fyes i përdorur, i përsëritur shpesh në seanca parlamentare, dëshmoi se deputetët mirë që nuk njohin kodin etik dhe moral por nuk respektojnë as Rregulloren e Kuvendit. Seanca parlamentare, salla ku duhej të përcaktoheshin politikat për qeverisjen, të trajtoheshin problemet e shoqërisë dhe të diskutohej për të ardhmen e vendit, është larg asaj ku deputetët fyejnë, ofendojnë dhe sulmojnë njëri-tjetrin për jetën e tyre personale. Në fund të ditës, çfarë u interesoi shqiptarëve? Asgjë. Por, vlejti për të nxjerrë disa mësime.

Së pari, deputetët tanë mendojnë se janë Zotërit e vendit, se kanë të drejtën legjitime të sillen dhe të flasin si u vjen për mbarë, pa marrë parasysh qëllimin e zgjedhjes dhe përgjegjësitë e tyre. Së dyti, është për të ardhur keq që fjalori i papërshtatshëm i përdorur në seancë, nuk i tingëlloi aspak keq veshit të deputetëve prezentë në sallë. Askush, askush nuk u ngrit të tërhiqte vërejtje kolegëve, të ngrinte zërin për fjalorin e papërshtatshëm, të kërkonte respektimin e rregullores dhe seancës parlamentare por përkundrazi qeshën dhe duartrokitën me të madhe sipas kampeve përkatëse. Kur në fakt, kryetari i Kuvendit duhej të tërhiqte vëmendjen deputetëve për fjalorin e përdorur dhe më pas sipas rastit të procedohej për shkeljet, as nuk e mori mundin ta ndërmerrte një hap të tillë. Së treti, seanca parlamentare tregoi edhe njëherë se problemet personale të politikanëve mbizotërojnë në diskutimet publike, duke u kthyer në një turp për qytetarët, për vëzhguesit e monitoruesit e demokracisë në vendin tonë dhe për gjithë botën.

Një sjellje e tillë prej tyre, thjesht dëshmon se politikanët tanë janë shumë larg kërkesave dhe përgjegjësive që një figurë politike duhet të ketë. Nuk mund të presim kohën që ata të ndryshojnë, pasi nuk kanë për ta bërë kurrë, por të ngremë zërin e tu “tërheqim” veshin deri sa zgjedhjet të afrojnë dhe vota të shërbejë si formë ndëshkuese. Askush nuk meriton të përfaqësohet nga fyerjet!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb