Real Madrid nuk duket aspak i interesuar për të marrë Kylian Mbappe. Asnjë ofertë zyrtare për yllin francez, qoftë edhe një shifër e ulët për të shprehur interesimin.

Ndoshta është një strategji për në orët e fundit të merkatos që mbyllet më 31 gusht, por referuar dy herë fjalëve të trajnerit Carlo Ancelotti, Los Blancos duket se e kanë mbyllur çështjen e sulmit për këtë sezon. Edhe pas ndeshjes së fundit të fituar ndaj Celta Vigo, numri një i stolit madrilen e shprehu qartë se sulmin e ka të kompletuar.

“Askush nuk nevojitet në sulm, jemi të kompletuar. Janë të dhënat, kemi shënuar 6 gola pa Benzema dhe pa Vinicius të dëmtuar. Kjo skuadër po tregon se është e kompletuar. Golat e Bellingham nuk janë cilësia e tij më e rëndësishme, por po bën mirë edhe në këtë drejtim. Ai lëviz mirë, është inteligjent dhe arrin në kohën e duhur në vendin e duhur” – u shpreh Ancelotti.

Një deklaratë disi e moderuar për të mos e thënë hapur se nuk ka nevojë edhe për Mbappe, të paktën për momentin. Kur mbeten edhe 5 ditë deri në mbylljes së merkatos, me fjalët e përsëritura të trajnerit, duket se Real Madrid nuk do të bëjë çmenduri për Kylian Mbappe, ndoshta klubi spanjoll ka marrë garancinë ta marrë falas verën e ardhshme kur i mbaron kontrata me PSG-në.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb