Në mënyrë të vazhdueshme, që nga dita kur u transferua më Milano, emri i Kristjan Asllanit vijon të jetë prezent në çdo sesion të merkatos, kështu po ndodhë edhe këtë herë, kjo për disa arsye. Asllani është i pakënaqur për mënyrën se si po trajtohet prej vitesh nga Simone Inzaghi, fillimisht zgjedhje e tretë pas Calhanoglu dhe Brozovic, ndërsa vitin e fundit shpesh nuk preferohet nga Inzaghi as si zëvendësues natyral i turkut.

Sigurisht, as Asllani thuajse në asnjë rast nuk ka arritur të justifikojë vendin e tij, për të gjitha këto arsye mesfushori kuqezi e sheh veten sërish në merkato. Për fat të mirë, ofertat për të nuk mungojnë pasi të shumë janë ekipet në Serie A që e shohin si një opsion për të përforcuar repartin e mesfushës.

Së fundmi në skenë ka dalë ekipi i Bolonga-s pasi presidenti i këtij klubi ka dhënë dritën jeshile për të ndërhyrë në merkato. Asllani është një profil që pëlqehet shumë në radhët e Bologna-s, por nuk është aspak e lehtë t’ia rrëmbesh Interit, të paktën jo nëse nuk plotësojnë kërkesat e klubit zikaltër.

Në këtë pikë, në skenë del emri i Santiago Castro-s, me sulmuesin e Bologna-s që pëlqehet shumë nga Inter. Palët mund të futen në negociata vetëm në këtë rast, nëse Bologna pranon të lë të lirë sulmuesin argjentinas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb