Viti 2023 është konsideruar si viti më i rëndë për sigurinë e gazetarëve në Republikën e Kosovës, raportojnë mediat.

Në një raport të bërë publik nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), u bë e ditur se gjatë vitit 2023 Kosova përjetoi rënie të paparë më herët sa i përket sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së mediave.

Getoarbë Mulliqi, autorja e këtij raporti, tha se për këtë janë bërë shkak ngjarjet në veriun e vendit.

Ajo tha se në vitin 2022 janë raportuar gjithsej 33 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa ky numër është rritur për 41 duke bërë 2023-tën, vitin me numrin më të lartë të shkeljeve të lirisë së medias dhe sulmeve në drejtim të gazetarëve.

“Gazetarët që raportuan nga komunat veriore janë përballur me kërcënime për jetën, sulme verbale dhe fizike si dhe me dëmtim të pronave personale dhe profesionale”, theksoi Mulliqi.

Nga 74 raste të kërcënimeve e sulmeve ndaj gazetarëve më 2023, 30 prej tyre janë regjistruar në pjesën veriore të Kosovës.

Leonita Morina, bashkëhulumtuese në raportin e publikuar, tha se gazetarët hasin në pengesa në ushtrimin e të drejtave të tyre.

“Ata vazhdojnë të punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Paga të ulëta, mungesa të kontratave, mungesa e mbulimit të sigurimit shëndetësor janë disa nga sfidat me të cilat gazetarët janë përballur edhe në vitet e kaluara por kanë vazhduar të përballen edhe gjatë vitit 2023”, theksoi Morina.

Raporti është realizuar në kuadër të Platformës Rajonale “SafeJournalists”, ku bëjnë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: