Quhet Astrit Leka! Ky është njeriu me një shekull jetë dhe konsiderohet si shqiptari më i vjetër në Zvicër. Gëzon shëndet, pavarësisht nga 100 vitet mbi supe dhe me mendje të kthjellët. Gazetari Nefail Maliqi, kryeredaktori i Le Canton27.ch, media zvicerane në gjuhën shqipe ka biseduar me të së fundmi. Falë kontributit të profesorit Astrit Leka, shqiptarët e Zvicrës kanë bustin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë. “Skënderbeu i tij në Gjenevë ka bërë 27 vjet që nga vendosja. I bën krenarë jo vetëm mërgimtarët e këtij Kantoni, por edhe mijëra shqiptarë nga 26 kantone të tjera të Zvicrës”, shkruan Le Canton27.
“Astrit Leka, ky “djalë i ri azgan”, dje i bëri rezistencë regjimit komunist, stuhive e shumë sfidave, por tashmë edhe viteve që nuk ju dorëzohet lehtë. Kohën e kalon në karrige duke lexuar, kurse shtratin e përdor vetëm natën për gjumë. Këto 40 vitet e profesor Astrit Lekës në Gjenevë ai ka qenë ndër zërat e fortë në tubime, në konferenca ndërkombëtare apo forume botërore që është folur për Kosovën apo shqiptarët në tërësi si në Davos, Crans Montana, Bernë, Bruksel, Paris, Romë, Vjenë, New York, Pragë etj. Jo vetëm kaq, madje në çdo organizim, qoftë humanitar apo kombëtar, aty ku ka pasur protesta për Kosovën, për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut apo dhe për Luginën e Preshevës, Astrit Leka ka qenë aty me plis ose flamurin kuqezi në dorë“, shkruan Le Canton27.
Artikulli vijon më tej: “Astrit Leka gjatë këtyre 100 viteve ka bërë më shumë se 100 vepra të mira për kombin tonë, komunitetin shqiptar në Zvicër, por njëra më kulminante është vendosja e bustit të Skënderbeut më 1 nëntor 1997 në Parkun William-Pappard, buzë liqenit në Gjenevën ndërkombëtare, vetëm disa metra larg nga zyrat e OKB-së”.
Vënia e bustit të Skënderbeut u mirëprit nga mbarë shqiptarët në kanton dhe Zvicër, si dhe bëri jehonë në mediat zvicerane. “Astrit Leka, ambasador i shqiptarëve në Zvicër”, “Astrit Leka, hero i rezistencës shqiptare”, janë këta vetëm disa nga titujt e gazetave zvicerane që shkruajtën për jetën dhe veprimtarinë e profesor Astrit Lekës”.
Veprimtari shqiptar tregon për Le Canton27.ch se pavarësisht nga vështirësive dhe pengimet prej serbëve, rusëve dhe grekëve, ai ka patur mbështetjen e autoriteteve zvicerane për ngritjen e bustit të Skënderbeut në Gjenevë, vepër e skuptorit Odise Paskali. “Ndër to ishte edhe znj.Micheline Calmy-Rey e cila kur ka qenë kryetare e konferederatës zvicerane, na mbështeti si shoqatë për ngritjen e bustit të heroit tonë legjendar në Gjenevë“, rrëfen ai.
“Ne shqiptarët, ndoshta më tepër se të tjerët, kemi nevojë të promovojmë vlerat tona më të mira, sidomos në kushtet aktuale, ku duhet thënë se imazhi ynë kombëtar kurrë nuk ka qenë më i mirë ku shqiptarët sot në Zvicër janë shembull integrimi dhe suksesi. Gjatë punës shumë vjeçare në drejtimin e shoqatës ndërkombëtare për solidaritet dhe zhvillim të vendeve të lindjes, “Solidest” me seli në Gjenevë, ia arritëm qëllimit tonë, duke ngritur bustin e Skënderbeut në këtë metropol europian“, shton Leka.
Më tej, ai tregon se si nisi përpjekjet për ngritjen e bustit të Skënderbeut që në fillim të viteve ’90 dhe peripecitë deri në nxjerrjen e lejes nga autoritetet zvicerane.
“Në fillim vendosëm bustin e Skënderbeut në Gjenevë. Pas përgatitjes së një projekti për ngritjen e bustit, bust bronzi që e kisha paguar në vitin 1991 në Tiranë, mora iniciativën duke iu drejtuar fillimisht autoriteteve zvicerane, deri sa më në fund ia arrita qëllimit, duke siguruar miratimin e këtij projekti pas gjashtë vitesh. Kështu, busti i Skënderbeut u përurua në Gjenevë më 1 nëntor 1997. Më te vijuam me projektet për ta ngritur atë edhe në metropole të tjera ku sytë e shqiptarëve e kërkojnë e krenohen me heroin kombëtar“, vijon më tej Astrit Leka.
“Skënderbeu u bë frymëzues për luftën mbrojtëse të gjenevezeve dhe qyteti u mbrojt“, citon një të vërtetë historike të nxjerrë nga arkivat veterani dhe patrioti model Astrit Leka, siç është quajtur nga gazeta zvicerane, “Vënësi i busteve të heronjve nëpër botë”.
Astrit Leka, i vlerësuar si “Nderi”, jo vetëm i Gjenevës por i gjithë Zvicrës, e meriton të quhet “Njeriu i Shekullit të Pavarësisë”. Ky bust i Skënderbeut, sipas profesor Astrit Lekës është i vetmi hero kombetar qe vlersohet lart nga autoritet helvetike.
Spikat gjithashtu roli dhe ndikimi i profesorit edhe në çështjen e Kosovës kur mbrojti luftën e UÇK-së si dhe ka ngritur zërin për njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Keqardhje për dëmtimin e bustit të Skënderbeut”
Astrit Leka nuk e ka pritur mirë dëmtimin e bustit të Skënderbeut nga vandalët, vepra e artit e cila mban emrin e tij. Ai thotë se të prekësh Skënderbeun ke prekur Europën, ndërsa i bën thirrje autoriteteve zvicerane që të zbardhin ngjarjen.
“Më erdhi shumë keq, kur dëgjova se është dëmtuar busti i kryeheroit tonë kombëtar Skënderbeut, aq më tepër në Gjenevën tonë ndërkombëtare. Të prekësh Skënderbeun do të thotë se ke prekur jo vetëm shqiptarët, por tërë Europën duke ditur mirëfilli rolin dhe kontributin e tij. E dënoj këtë sulm, ketë akt të lig dhe qyqar nga ata që e bënë me qëllim apo pakujdesia. Besoj se autoritetet zvicerane do ta ndriçojnë rastin dhe t’i ndëshkojnë autorët që e kanë dëmtuar bustin”, ka thënë Astrit Leka për Le Canton27.ch.
Nga veteran i luftës antifashiste te shpallja armik nga regjimi
Astrit Leka, i cili aktualisht jeton prej gati 40 vitesh në Gjenevë në Zvicër, është kryetar i shoqatës “Solides” për zhvillimin e vendeve të lindjes, kryetar nderi i bashkimit të Intelektualëve shqiptarë në Zvicër dhe zv/kryetar i Konfederatës Europiane të Veteranëve të Luftës. Në vitin 1939 del vullnetar kundër pushtimit fashist. Në ‘41-n braktis shkollën e mesme në Firence dhe kthehet në atdhe për të mbështetur luftën. Pas Çlirimit ka punuar si bashkëpunëtor i Institutit të Shkencave që nga 1947-1954 me vendim qeverie. Ka kryer studimet e larta në Fakultetet Gjuhë-Letërsi, Histori-Gjeografi dhe Fakultetin Ekonomik.
Është pushuar nga puna më 8 mars 1967 për veprimtari armiqësore. Humbi të drejtën e punës intelektuale deri më 1990, por ka dhënë mësime private frëngjisht, italisht, spanjisht, portugalisht. Në maj të ‘90-ës doli jashtë shtetit në Amerikë, Kanada, Europë për t’u vendosur përfundimisht në Gjenevë. Gjatë kësaj kohe është marrë me botime në gjuhë të huaj për çështjen shqiptare.