Nga ASTRIT PATOZI

Jo çdo njeri i lirë ka qenë në orën 18:00 në Akademinë e Arteve për të themeluar partinë më të re shqiptare (LIBRA), por jam i sigurt se çdokush që është mërzitur për lindjen e saj, ka realisht probleme me lirinë e vet. Unë nuk kam ende asnjë provë për të parashikuar apo parandjerë një sukses elektoral të saj, por po ashtu nuk kam asnjë arsye për ta konsideruar të pashpresë çdo sprovë që synon të dalë nga ligatina e pistë ku, për fat të keq, është zhytur politika. Por ky është tashmë problem dhe sfidë që u takon Ben Blushit, Mimoza Hafizit dhe atyre që do të pranojnë t’u bashkohen.

Për mua sot ka, gjithsesi, një lajm të mirë për Shqipërinë, i cili do të ishte i tillë edhe sikur Ben Blushi të ishte fillikat i vetëm, ndonëse nuk më duket të jetë ky rasti. Sepse tashmë opozita shqiptare ka një zë më shumë, që e refuzon fort dhe është gati të bëjë betejë me këtë qeveri. Dhe se është jashtë çdo dyshimi që jetojmë në një kohë, kur fronti i atyre që duan ta shpëtojnë vendin nga kjo mazhorancë, ka nevojë për çdo solist apo kor që t’i bashkohet. Sepse e kam bindje të plotë që populli opozitar, kryesisht për meritë të Edi Ramës, është sot shumë më i madh në numër sesa partitë e afishuara zyrtarisht kundër qeverisë.

Është po ashtu e vërtetë se Ben Blushi e ka klasifikuar këto ditë Partinë Demokratike te partitë e vjetra, të cilat sipas tij janë njësoj të dëmshme për Shqipërinë dhe se nuk ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Por kjo nuk më pengon mua sërish që t’i uroj atij dhe LIBRA-s sukses, dhe kjo jo thjesht për shkakun pragmatist se ai mund të marrë vota nga kundërshtari ynë i drejtpërdrejtë, Partia Socialiste. Por më shumë sepse, nuk ka asnjë rëndësi se çfarë mendon ai për ne, por ka shumë vlerë ajo që mendon ai dhe për qeverinë.

Dhe ky më duket një motiv suprem për ta konsideruar si një aleat, qoftë edhe në distancë fare të largët, pa i përfillur fare rezervat apo keqkuptimet që ai mund të ketë për Partinë Demokratike. Ndaj, edhe pse më ndajnë shumë ide, koncepte dhe rrethana me Ben Blushin, sot jam me të dhe me LIBRA-n, për t’i uruar mbarësi në sipërmarrjen e vet të vështirë politike. Sepse rrugët dhe fatet tona mund të mos puqen kurrë, sado zgjedhje të konsumohen, por mua më mjafton kryemotivi i sotëm, sepse, si Partia Demokratike, e para forcë politike e pluralizmit, ashtu edhe LIBRA, si partia më e fundit shqiptare, besojnë fort te një Shqipëri më e mirë pa Edi Ramën kryeministër. Ndaj suksese, LIBRA!

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: