Pamjet që do ditë më parë i ka publikuar në faqen e vet në fb në formën e një kronike pa tekst Esat Shala, një djalë i ri shqiptar Kosove, më rikthejnë edhe një herë 25 vite pas.

Bashkë me emocionin që ato mbartin, po i publikoj edhe unë jo vetëm si homazh nderimi për të gjithë luftëtarët e UÇK-së, por edhe si dëshmi e të vërtetës së një kohe, të cilën fatkeqësisht sot jo pakkush e ka harruar ose edhe më keq, përpiqet ta përbaltë apo ta mohojë!
Ishte koha e luftës për çlirimin e Kosovës. Ishte koha e UÇK-së.

Prej fillimjanarit e deri në fundin e qershorit të vitit 1999, unë gjendesha në Gjermani për studime pasuniversitare, në “George C. Marshall European Center for Security Studies” në Garmisch – Partenkirchen sëbashku me profesorin ushtarak Pajtim Ribaj, që në atë kohë shërbente me gradën kolonel në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Duke qenë i njohur e në lidhje shumë më herët me drejtuesit dhe veprimtarët e LPK-së (Lëvizja Popullore e Kosovës), u bëra pjesë e veprimtarive që dega jashtë vendit e kësaj organizate zhvillonte në vendet Perëndimore të Europës ( kryesisht në Zvicër dhe në Gjermani).
Ndërsa UÇK e kishte ndezur zjarrin e luftës çlirimtare në Kosovë, jashtë saj, në Shqipëri e gjithkund tjetër nëpër botë ku gjendeshin shqiptarë, kishte nisur fushata e madhe e mobilizimit të lultëtarëve që duhej t’i përgjigjeshin zërit të vendlindjes, zërit të atdheut në luftën për liri e të ktheheshin në Kosovë për t’iu bashkuar UÇK-së.

Në këtë proces atdhetar e historik të pashembullt për nga përmasat e angazhimit e të sakrificës, një rol shumë të rëndësishëm kanë luajtur edhe institucionet fetare, që duke vënë atdheun mbi fenë e lirinë e Kosovës mbi gjithçka, u shndërruan në qendra patriotike e atdhetare të mobilizimit dhe motivimit të të rinjve që niseshin për në luftë.

Një rast të tillë kanë fiksuar edhe pamjet e filmuara e të bëra publike nga Esat Shala, të cilin edhe pse nuk e njoh nga afër e falenderoj përzemërsisht, për gjithë sa bën duke ofruar dëshmi të tilla prej asaj kohe të lavdishme.

Në pamjet që po publikoj, unë gjendem në një xhami shqiptarësh në Mynih të Gjermanisë mes dhjetëra djemve shqiptarë të Kosovës. Shumë prej tyre kishin vetëm pak kohë që ishin larguar nga Kosova e pushtuar e nën represionin e regjimit të Millosheviçit, me ëndërrën që në Gjermani a gjetiu nëpër Europë të siguronin një jetë e të ardhme më të mirë. Të tjerë kishin lindur në Gjermani, pa e ditur fare se si është Kosova. Por, pavarësisht të gjithave, ishin mbledhur atë natë e ishin bërë bashkë për të shkuar në luftë.

Drejtuesit e LPK-së sëbashku me ata të xhamisë më kishin ftuar edhe mua që të mbaja para atyre djemve një fjalim motivues e te recitoja poezi patriotike për Kosovën, ndërkohë që ata vetëm pak çaste më pas do të niseshin për në luftë, përmes një rruge të gjatë e me plot vështirësi. (Kujtoj se në atë kohë Europa nuk ishte zonë Shengen e për të dalë nga Gjermania apo vendet e tjera të Europës, për të hyrë në Itali e mandej për të mbërritur në Shqipëri ishte një kalvar i tërë vështirësish e peripecish të panumërta).

Por, ndërsa unë flisja, u shikoja në sy atyre djemve dritën e lirisë dhe besimin e madh në fitoren e luftës, u ndjeja emocionin dhe krenarinë që do t’i bashkoheshin UÇK-së, pavarësisht se ishin të vetëdijshëm se i priste lufta dhe që mund të jepnin edhe jetën për lirinë e Kosovës.

Nuk ishin pak, nuk ishin disa dhjetëra apo qindra.

Ishin mijëra që lanë familjet, që lanë punën e jetën e qetë në Europë e gjithkund nëpër botë dhe iu bashkuan UÇK-së së lirisë.
Sot, ndërsa shoh pamjet e filmuara 25 vite më parë, ndërsa gjej aty fytyrat e atyre djemve që i kam përpara syve dhe ju ndjej duart e shtërnguara me ta para ndarjes njësoj si atë natë, nje ndjesi dhimbjeje dhe emocioni më pushton teksa mendoj se mund të ketë ndër ata djem që unë i kam takuar atë natë në dimrin e vitit 1999 në një xhami shqiptarësh në Mynih, edhe prej atyre që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.

Sakaq, të tjerët e asaj nate, jam i bindur se sot janë krenarë në heshtjen e tyre fisnike e të pabujë mes dhimbjes e zhgënjimit të një kohe tjetër, që disave u duket aq e largët, por me siguri janë edhe të lumtur që lufta e tyre krijoi Kosovën e lirë, përkundër disa gazetarëve, analistëve e opinionistëve jugosllavë të Kosovës, që rreken të na mbushin mendjen se kinse paska identitet kosovar, gjuhë kosovare, kulturë kosovare, komb kosovar!

“Geg’ e tosk’, malci, jallia,
Jan nji komb, m’u da s’duron,
Fund e maj nji a Shqipnia
E nji gjuh t’gjith’ nabashkon” – ka thënë si shumë patriotë e rilindas të tjerë Ndre Mjedja.

Këtë e tha para gjithë botës edhe lufta e lavdishme e UÇK-së, që qe dhe mbetet luftë e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës nën flamurin kombëtar dhe për bashkimin kombëtar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb