Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot takimin e tij të dytë me emigrantët shqiptarë në Greqi, këtë herë në qytetin e Selanikut, pas një takimi të ngjashëm në Athinë disa muaj më parë. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe përparimin e bërë në këtë drejtim.
Ai deklaroi se Shqipëria sot nuk është më një vend ku një grup i caktuar njerëzish është më i fuqishëm se ligji. “Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë goditjen e saj më të rëndë, për herë të parë që nga themelimi i shtetit,” tha ai. Rama nënvizoi se, për herë të parë, individë të lidhur me pushtetin politik po i nënshtrohen forcës së ligjit, pa marrë parasysh pozitat e tyre në partitë politike.
Kryeministri theksoi se kjo situatë është historike dhe se deri në vitet e fundit, asnjë politikan me profil të lartë nuk ishte hetuar ose gjykuar nga një gjykatë e pavarur. “Ata që janë dënuar deri më tani kanë qenë të dënuar politik nga një drejtësi që ishte e kontrolluar nga partia në pushtet,” shtoi ai.
Rama përmendi rastin e ish-liderit të opozitës, Fatos Nanos, i cili, sipas tij, u burgos jo nga drejtësia e pavarur, por për arsye të partisë në pushtet. “Jam krenar që me votën e shqiptarëve, ne, si Partia Socialiste, udhëhoqëm një reformë në drejtësi që ka filluar të pastrojë politikën shqiptare,” tha ai.
Ai theksoi se asnjë vend i ri anëtar i Bashkimit Europian nuk ka realizuar një reformë të tillë para anëtarësimit, dhe se Shqipëria ka arritur të bëjë hapa të rëndësishëm drejt integrimit. “Jam optimist se anëtarësimi ynë është në duar tona dhe mund të ndodhë brenda 5 viteve të ardhshme,” përfundoi ai.