Sodiq Atanda ka qenë një nga “shtyllat” e Partizanit në mbrojtje në katër sezonet e fundit, por nigeriani vendosi që t’i japë fund aventurës te “demat”, duke u larguar si kampion.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” 25-vjeçari tregon arsyet përse vendoi të largohet nga të kuqtë, si dhe pranon se ka kërkuar një rrogë të majme, mbi 70 mijë euro në sezon, për të rinovuar me kampionët e rinj të Superiores. Sipas Atandës, kishte ardhur momenti për të provuar një aventurë të re në një shtet tjetër, pasi te Partizani arriti çfarë deshi në Shqipëri.

Nigeriani është i bindur se të kuqtë do të jenë sërish liderë të Superiores dhe kur pyetet se kush ka qenë miku i tij më i mirë, ai nuk bën dallim, por thotë se do t’i mungojnë të gjithë. Atanda tregon edhe dashurinë që ka për Shqipërinë, madje e ndien veten shqiptar dhe pas 6-7 muajsh pret të marrë pasaportën. Mbrojtësi nigerian pohon se supa dhe fasulja janë ushqimet e tij të dashura në Shqipëri. Atanda largohet edhe me një këshillë për tifozët e Partizanit.

Atanda, pse u larguat nga Partizani pas katër sezonesh?

U largova nga Partizani, pasi aty arrita çfarë dëshiroja. Fitimi i titullit kampion ishte arritja më e madhe, kështu që vendosa të ndryshoj ambient dhe të luaj në një shtet tjetër. Në Shqipëri kam qëndruar 7 vite, kështu që mendova se ishte koha e duhur për të provuar një eksperiencë të re.

A është e vërtetë që ju u kërkuat drejtuesve të Partizanit një rrogë mbi 70 mijë euro në sezon për të rinovuar?

Po, është e vërtetë që e kam kërkuar atë rrogë.

Nuk jua pranuan, por sa ju ofruan ata?

Kjo është personale dhe nuk dua ta bëj publike.

Si e shikoni Partizanin e sezonit të ri tani që ju nuk jeni pjesë e tij?

Sigurisht që e shikoj mirë, pasi aktualisht po punojnë shumë fort në fazën përgatitore në Slloveni. Falë kësaj pune dhe grupit që kanë, kam besim se sërish do të jenë në krye.

Cili ka qenë miku juaj më i mirë te të kuqtë, i cili do t’ju mungojë tani që jeni transferuar në Izrael?

Çdonjëri që ka qenë te Partizani ka qenë miku im, kështu që do të më mungojnë të gjithë.

Është folur se keni aplikuar për pasaportë shqiptare. A e keni marrë atë?

Po, është e vërtetë që kam aplikuar dhe pres afatet kohore për t’u pajisur me pasaportën shqiptare. Besoj se pas 6-7 muajsh do ta kem gati.

atanda

Keni jetuar 7 vite në Shqipëri, çfarë ju ka pëlqyer më shumë?

Më ka pëlqyer gjithçka dhe jam i dashuruar me Shqipërinë. Nëse nuk do më kishte pëlqyer, nuk do të kisha qëndruar kaq gjatë. Ngaqë jam ndierë mirë, vendosa të aplikoj për pasaportë, pasi e ndiej veten edhe si shqiptar (për ta konkretizuar Atanda nis një foto i veshur me një kostum popullor shqiptar).

A keni pasur një ushqim të preferuar në Shqipëri, që mbase mund t’ju mungojë në Izrael?

Ushqimi im i preferuar kur isha në Shqipëri kanë qenë supat dhe fasulet. Shpresoj që të mos më mungojnë edhe këtu.

atanda me veshje kombetare

Në fund, keni ndonjë mesazh për tifozët e Partizanit?

Ajo që më ka pëlqyer gjithmonë tek “Ultras Guerrils” ka qenë shpirti i tyre për të mbështetur ekipin. Për mua janë të mrekullueshëm dhe me të njëjtin shpirt duhet të vazhdojnë dhe jam i sigurt që së bashku me Partizanin do të arrijnë suksese akoma më të mëdha./Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb