TIRANË- Gazetarit të News 24, Artur Çani i kanë bërë një atentat me armë, fatmirësisht i dështuar. Një person i maskuar dhe i pajisur me pistoletë me silenciator ka tentuar ta qëllojë.
Mësohet se personi ende i paidentifikuar, i kishte zënë pritë drejtorit të emisionit ‘Kaktus’ në News 24, Artur Çanit, në hyrje të pallatit ku banon.
Atentati ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:32 në rrugën ‘Faik Konica’, ndërsa zoti Çani ka shpëtuar mrekullisht, pasi siç deklaron ai, pistoleta me silenciator nuk shkrepi.
Menjëherë për ngjarjen u njoftua edhe policia e kryeqytetit, ku vetë kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa dhe shefi i Komisariatit nr. 1 Artjon Duka shkuan në vendngjarje. Për hetimin e ngjarjes u interesua dhe Kryeministri Edi Rama.

Ndërkaq që policia dhe prokuroria sekuestruan kamerat e sigurisë dhe vijojnë ende hetimet për të identifikuar atentatorin.

“Ngjarjen e kam parë në kamera, nuk nuhata asgjë. Shkoja në shtëpi në orën 20 e 30, ishte errësirës. Roja me njoftoi ishin 3 veta, më thanë që ka ardhur një njeri që ka dashur të vrasë. Një djalë i pallatit rreth të 20-tave e ka parë personin më armë kur ka dalë nga pallati. Pastaj kanë parë kamerat për të identifikuar kujt i kanë qëlluar. Unë hyra në ashensor tek dera dëgjova një zhurmë që si dhashë rëndësi. Kamerat kishin filmuar këtë personin me pistoletë në dorë që hynte pas meje. Ai më kishte drejtuar armën, është përpjekur të qëllojë por nuk i ka shkrepur, është ulur e ka mbushur sërish por unë hyra direkt në ashensor. Më ndoqi deri tek dera, por unë nuk e pashë. Unë lajmërova policinë, ministrin Tahiri, më tha që mos u bë merak do kesh mbështetjen tonë. Më erdhën gjithë drejtuesit e policisë më pas në shtëpi, ndenjtën u përpoqën të më qetësonin. Veprimet e tyre ishin profesionale e vlerësuan rastin me seriozitet. Çfarë mora vesh më pas, ishte një rastësi ajo që më shpëtoi”, rrëfeu Çani të gjithë skenën e atentatit të dështuar.
Më tej gazetari rrëfen se ai nuk ka ndonjë armik konkret, por quan armiq potencial të gjithë ata që ngacmohen nëpërmjet emisionit ‘Kaktus’. Artur Çani beson se edhe ky atentat mund të jetë bërë për shkak të emisionit të ri investigativ që ka nisur në “News 24”.
“Jam menduar gjatë mos ndonjë njeri ka mëri personale me mua. Vetëm me regjisorin mes miqsh kam folur me zë të lartë, me asnjë tjetër. Por ne kemi armiq potencial këdo që ngacmojmë nëpërmjet emisionit. Një gazetar i ‘Kaktus’ është larguar nga presioni i madh që i është bërë, bëhet fjalë për një çështje ende të patransmetuar. Besoj që ka lidhje me emisionin, jo me ngjarje të tjera. Unë më herët nuk kam pasur asnjë presion”, thotë Çani.
E ndërsa duke u kthyer tek pamjet në videon e kamerës së sigurisë, gazetari Çani shprehet se në ato momente zoti ka qenë me të. Ai thotë se këto pamje i janë dorëzuar grupit të hetimit dhe për momentin nuk mund të publikohen.
“Do vijë një ditë që pamjet do publikohen, aty duket fare qartë që një person me armë e ka shtrirë dorën për të më qëlluar. Nuk i ka shkrepur arma, është ulur e ka rregulluar dhe kur është ngritur sërish nuk më ka gjetur se unë hypa në ashensor. Është shqetësuese që krimi ka arritur në këtë nivel sa të marrësh sulm ndaj një gazetari”.
I pyetur nëse do vazhdojë të drejtojë emisionin “Kaktus”, Çani shprehet pa më të voglin dyshim se, “Nuk kam ndërmend të lëviz gjë, do ta vazhdoj emisionin tim”. Ai nuk nguron të përmendë edhe një shprehje të kryeministrit Rama, në momentin që ka kontaktuar me të. “Ed Rama më tha që jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”.

Pas atentatit, edhe vetë gazetari Çani ka shpjeguar në TV “Neës 24” se çfarë ka ndodhur në të vërtetë mbrëmjen që ai kthehej në banesë.
Çfarë ndodhi natën që tentuan që t’ju qëllonin?
Unë ngjarjen e kam parë në kamera, nuk nuhata asgjë. Po shkoja në shtëpi në orën 20:30; ishte errësirë. Dera e pallatit ishte hapur, pasi po kalonin disa persona, dhe unë nxitova të futesha që të mos rrija të kontrolloja për çelësat në çantë. Në këtë moment, ka ardhur autori me pistoletë nga mbrapa dhe ka dashur që të më qëllojë, por arma nuk i ka shkrepur. Personi është ulur dhe e ka mbushur armën, por meqë edhe dera e ashensorit ishte hapur, unë kam hipur direkt dhe nuk kam dëgjuar e parë gjë. Në fakt, kur hyra në ashensor dëgjova një zhurmë, por nuk i vura shumë rëndësi. Personi më kishte ndjekur deri te dera, por unë nuk e pashë.
Si e kuptuat që një person ju kishte ndjekur dhe kishte tentuar që t’ju qëllonte me pistoletë?
Një djalë i pallatit, rreth të 20-ve, e kishte parë personin me armë kur ka dalë nga pallati. Pas kësaj, roja ka parë kamerat e sigurisë, për të parë se kë kishte dashur të qëllonte ky person, dhe aty ka parë autorin që vinte të më qëllonte mua. Roja më njoftoi se kishte ardhur njëri që donte të më vriste. E mora si shaka në fillim. Pastaj, pashë pamjet filmike dhe aty pashë se, në momentin që unë tentoja të hyja në ashensor, një person i maskuar kishte drejtuar armën drejt meje dhe, në momentin që kishte tentuar të qëllonte, i ishte bllokuar arma. Në momentin e dytë që kishte tentuar të më qëllonte, unë kisha hyrë në ashensor.
Pas ngjarjes, kë keni njoftuar?
Unë lajmërova policinë, ministrin Tahiri dhe ai më tha që, “mos u bëj merak, se do kesh mbështetjen tonë”. Më erdhën gjithë drejtuesit e policisë më pas në shtëpi, ndenjën, u përpoqën të më qetësonin. Veprimet e tyre ishin profesionale, e vlerësuan rastin me seriozitet. Nga çfarë mora vesh më pas, ishte një rastësi ajo që më shpëtoi. Më vonë më ka marrë edhe kryeministri në telefon dhe më ka thënë se “jetëgjati nuk bëhet dot jetëshkurtër”.
Ju vetë, ku dyshoni për atentatin ndaj jush?
Jam menduar gjatë se mos ndonjë njeri ka mëri personale me mua. Vetëm me regjisorin, mes miqsh, kam folur me zë të lartë, me asnjë tjetër. Por, ne kemi armiq potencialë këdo që ngacmojmë nëpërmjet emisionit. Një gazetar i “Kaktus” është larguar, nga presioni i madh që i është bërë; bëhet fjalë për një çështje ende të patransmetuar. Besoj se ka lidhje me emisionin, jo me ngjarje të tjera. Unë më herët nuk kam pasur asnjë presion. Në ato momente, Zoti ka qenë me mua!
Po pamjet filmike, i keni?
Pamjet filmike i janë dorëzuar grupit të hetimit dhe për momentin nuk mund të publikohen. Do vijë një ditë që pamjet do publikohen; aty duket fare qartë që një person me armë e ka shtrirë dorën për të më qëlluar. Nuk i ka shkrepur arma, është ulur, e ka rregulluar dhe kur është ngritur sërish, nuk më ka gjetur, se unë hipa në ashensor. Është shqetësuese që krimi ka arritur në këtë nivel sa të marrësh sulm ndaj një gazetari.
Pas këtij atentati, do vazhdoni ta drejtoni emisionin “Kaktus”?
Nuk kam ndër mend të lëviz gjë, do ta vazhdoj emisionin tim.

Unioni i Gazetarëve: Rast i paprecedent në Shqipëri 
Pas atentatit të mbetur në tentativë ndaj gazetarit të “News 24”, Artur Çani, ka reaguar ashpër, përmes një deklarate zyrtare, edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë. Në këtë deklaratë thuhet se ky rast tregon edhe një herë përballjen e gazetarëve investigues me rreziqe të ndryshme në vendin tonë. “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është tejet i tronditur nga akti kriminal i mbetur në tentativë, i cili rrezikoi jetën e anëtarit të organizatës sonë, si dhe të njërit prej gazetarëve më aktivë në gazetarinë investiguese në vend, gazetarit Artur Çani, drejtues i emisionit më të ri investigativ ‘Kaktus’ në TV ‘Neës 24’. Krimi, arma e të cilit mbeti për fat pa u shkrehur, me maskë dhe në orët e mbrëmjes së errët, tentoi të ekzekutonte një gazetar shqiptar. Është rasti i parë i një ngjarjeje të tillë, që lë dyshime për një tentativë për vrasje të organizuar gazetari. Ky rast i paprecedent në jetën dhe realitetin e gazetarisë shqiptare, shpreh përballjen e gazetarëve investigues shqiptarë me rreziqe të skajshme.
Gazetaria shqiptare po dëshmohet kurajoze dhe në përballje me sfidat dhe rreziqet që ofron realiteti i një politike agresive dhe krimi, që shfaqet herë pas here përmes goditjeve apo kërcënimeve serioze”, citohet në deklaratën e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Më tej, kjo organizatë vlerëson reagimin e menjëhershëm të organeve të Policisë së Shtetit dhe interesimin institucional për marrjen e masave të sigurisë ndaj kolegut dhe familjes së tij. Unioni i Gazetarëve, në fund të deklaratës kërkon që ngjarja të hetohet dhe të gjenden autorët e atentatit.

PD: Banda mafioze me krahë qeveritarë
Partia Demokratike reagoi dje zyrtarisht duke u solidarizuar me punën e gazetarit Artur Çani dhe duke kërkuar zbardhjen e autorëve të atentatit ndaj tij. “Artur Çani nxorri në publik dëshminë e qytetarit që kishte dijeni për vrasësit e bankierit Santo, dëshmi që implikoi drejtuesit më të lartë të Policisë dhe segmentet qeveritare. Me emisionin e tij ai ka denoncuar afera skandaloze të qeverisë, si ajo me 8 milionë euro te kompanisë CEZ. Çani ka denoncuar kontrabandën e naftës së Albpetrolit të Koco Kokëdhimës, një skandal me përmasa të jashtzakonshme. Gazetari investigues ka një seri emisionesh, që kanë prishur në mënyrë të përsëritur humorin e qeverisë. Kanë prishur humorin e një qeverie që është në bashkëjetësë të plotë me krimin”, tha zëdhënësja e PD-së, Oriela Nebiaj. Ajo shtoi se: Atentati i organizuar ndaj gazetarit është një alarm për rendin, dhe tregon se pasiguria është ulur këmbëkryq. Një mesazh i qartë, primitiv e kriminal që bandat mafioze me krahë të ngrohta qeveritare i bëjnë kujtdo që guxon të flasë.

(m.arapi/d.b/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: