KOSOVË- Avokati kosovar Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri të hënën në mëngjes në hyrjen e zyrës së tij në Prishtinë nga një person ende i paidentifikuar, kanë bërë të ditur zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësja rajonale e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar lajmin por pa dhënë detaje.
Avokati Vllasi është dërguar për mjekim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Azem Vllasi, një ish-udhëheqës komunist në vitet ’80, pas përfundimit të luftës në Kosovë nisi punën e avokatit. Ai është i njohur edhe për analizat politike të situatës në vend dhe në Ballkan.

Pak orë pas sulmit vetë Vllasi ka folur për mediat. Ai ka deklaruar se “sulmuesi kishte një armë zjarri pa zhurmë dhe sipas karakteristikave ishte një atentator i porositur”.

“Para orës 8 në mëngjes dikush i ra ziles. Dola. Një person mbante letra në dorë. Tha se kishte një problem pronësor. I thashë se këto unë nuk i punoj dhe që të shkojë në rrugën përballë tek një tjetër avokat. A ka ardhur nga Gjermania apo e ka dërguar dikush, nuk e di. Kam hyrë të shkruaj në një copë letër numrin dhe t’ia jap. Kur kam dalë ai më ka sulmuar tek dera me një revole pa zhurmë, evidente i përgatitur, më ka sulmuar dhe më ka qëlluar në krah e pastaj iku”, ka thënë ai, shkruan REL.

“Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Familja ime nuk ka problem dhe as kontest me asnjeri. Nuk e di se ika të mendoj dhe nuk dua të hamendësoj. Hetimet do të tregojnë cdo gjë”, tha Vllasi.

banesa e Vllasit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në rrjetin social Facebook pas lajmit për plagosjen e avokatit Vllasi, duke e quajtur “akt të papranueshëm dhe të dënueshëm”.

“Me shqetësim pranova lajmin për plagosjen e avokatit Azem Vllasi. Aktet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme në një shoqëri, e cila prioritet kryesor ka forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit. Avokatit Vllasi i uroj shërim të shpejtë, ndërsa nga autoritetet përkatëse pres që ta sjellin përpara drejtësisë autorin e këtij krimi”, shkruan Thaçi në “Facebook”.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka dënuar sulmin ndaj avokatit, Azem Vllasi. Ata kanë kërkuar nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe autorët të dalin para drejtësisë.

“Rastet e tilla nuk janë rastësi, ato janë një paralajmërim i keq për fatin e drejtësisë dhe perspektivës evropiane. Por, pavarësisht kësaj, ne do të qëndrojmë dhe nuk do të dorëzohemi nga çfarëdo kërcënimi për të arritur synimet tona dhe gjeneratave që në të ardhmen të mbrojmë shtetin e së drejtës. Do e mbrojmë profesionin e avokatit, siç mbrohen në tërë botën e civilizuar e demokratike”, thuhet në një komunikatë për media të Odës së Avokatëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb