Gazetari Igli Celmeta i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 foli për ngjarjet kriminale që kanë tronditur vendin në ditët e para të vitit të ri 2025.
Celmeta dha detaje të reja për vrasjen e Kristian Markut. Ai tha se autorët dyshohet se kanë qenë tre persona dhe se ata e kanë ndjekur objektivin nga Tirana deri në afërsi të Vlorës, ku dhe kanë kryer atentatin. Sipas gazetarit, Marku dyshohet se është nxjerrë në pritë. Ai shton se policia po heton edhe pista të tjera, përpos hakmarrjes.
“Kristian Marku u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në autostradën Fier-Vlorë. 30-vjeçari ishte nisur nga Tirana për në Vlorë dhe në fshatin Novoselë i është bërë atentat. Dyshohet se kanë qenë tre persona që i kanë bërë atentat dhe ata e kanë ndjekur nga Tirana. Në drejtim të Kristian Markut janë qëlluar 12 fishekë, ku 3 kanë qenë fatale për të riun. Është enigmë pse 30-vjeçari shkoi në Vlorë. Ka dyshime se mund të jetë nxjerrë në pritë nga persona të tjerë. Ka qenë i vetëm në makinë dhe i paarmatosur. Celulari është në duart e grupit hetimor. Marku ka qenë në kërkim, pasi më 2023 dyshohet se ka qëlluar ndaj Saimir Reçit. Ngjarja është e rëndë për policinë, pasi ky person ishte në kërkim dhe lëvizte me makinë në Tiranë, Rrëshen a Vlorë. Policia po heton edhe pista të tjera, përpos hakmarrjes. E kishte mbiemrin të ndryshuar, për shkak se kishte probleme me drejtësinë”, tha Celmeta.
Në lidhje me vrasjen e Bujar Nasufit në Tiranë, Celmeta nënvizoi se pista kryesore është ajo për konflikte pronësie.
“Vrasja ndodhi në një ngjarje të frekuentuar nga qytetarët pranë Selitës së Vogël. Si duket, autori i ka pritur në afërsi të banesës. Autori ka pritur që bashkëshortja e viktimës të shkojë në shtëpi dhe ka qëlluar Nasufin. Arma e përdorur është automatike. Autori ka djegur motorin brenda një tuneli në Kodrat e Sharrës. Edhe targat i ka djegur. Kjo e bën të vështirë zbardhjen e vrasjes. Pista kryesore është për konflikte pronësie. Janë 4 vëllezër, që kanë prona e toka në fshatin nga kanë origjinën në Tiranë. Nuk ka ende persona të arrestuar. Prova më e rëndësishme për policinë janë kamerat, që kanë filmuar ngjarjen. Ky ekzekutim më ngjason me vrasjen e Eduart Reçit”, u shpreh Celmeta.
Duke folur për vrasjen e Ramazan Matajt, gazetari tha se fillimisht u aludua për arsye të ndryshme, por se arsye kryesore doli ajo për çështje nderi.
“Vrasja e Ramazan Mataj ishte ngjarja e parë kriminale në vendin tonë. Policia e Shkodrës punoi mirë, duke arrestuar dy vëllezër. Vrasja ishte për çështje nderi. Ramazan Mataj kishte prishur dy kurora të motrës së autorëve. Autorët kanë shfaqur pendesë, edhe babai i vëllezërve autorë ka shfaqur pendesë. Autorët kanë qenë amatorë ta themi”, deklaroi ai.
(d.xh-Balkanweb)