Të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Memaliaj mesnatën e së shtunës, ku 3 persona mbetën të vrarë dhe një i katërt është plagosur rëndë, pas një atentati të mirëorganizuar ndaj dy vëllezërve Kalemi.

Viktima në këtë atentat mbetën Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, ndërsa është plagosur vëllai i tij, Artur Kalemi 57 vjeç.  Si pasojë e breshërive kanë humbur jetën edhe Gledjon Muka, i cili punonte si kamarier në lokalin ku u qëllua dhe Marsel Çela, i cili ishte klient, në momentin kur kanë ndodhur të shtënat.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se autorët e krimit kanë lëvizur me një automjet tip BMW, me targa gjermane, ngjyrë e zezë, i cili u gjet i djegur në zonën e Mallakastrës, disa orë pas ngjarjes së rëndë.

Policia ka arritur që përmes kamerave të sigurisë të zbardhë të paktën itinerarin e lëvizjes së automjetit që kanë përdorur autorët. Gjithashtu në makinën e djegur janë gjetur armë zjarri që dyshohet se janë përdorur prej tyre.

Foto e mëposhtme tregon automjetin rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, pak sekonda para se autorët të qëllonin me breshëri.

Vrasja E Trefishte Ne Memaliaj Makina
Vrasja E Trefishte Ne Memaliaj Makina

Dyshimet janë se krimi ëhstë realizuar nga vrasës me pagesë, edhe pse hetimet vijojnë për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

Policia është duke kërkuar në të paktën 4 qarqe mbi autorët e dyshuar të krimit që shkaktoi 3 viktima.

Shyqyri Kalemi është babai i Andrea (Tiku Kalemit), ndërsa Artur Kalemi është xhaxhai i Tiku Kalemit. Dyshohet se objektiv i atentatorëve ka qenë Shyqyri Kalemi, i cili në momentin kur ndodhën të shtënat ishte me vëllain e tij në të njëjtën tavolinë në pjesën e jashtme të lokalit. Pranë tyre në atë moment ndodhej edhe kamarieri, ndërsa klienti që mbeti i vrarë, ishte në pjesën e brendshme të lokalit.

Dyshimet janë se vrasja në Memaliaj e Shyqyri Kalemit ka lidhje me një zinxhir përplasjesh që kanë nisur që me ekzekutimin në Tiranë të Aleksandër Sadikajt, për të cilin dyshohet se ishte porositur nga Edmond Papa. Ky i fundit është ekzekutuar disa kohë më pas po në Tiranë. Në kushte të tilla duket se ngjarja e 48 orëve më parë në Memaliaj ka lidhje me përplasjet mes fiseve Sadikaj e Kalemaj, dhe atij Papa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb