Zyrtarët e fushatës së Donald Trump thanë në një deklaratë se ish-presidenti ishte “mirë”, pas të shtënave me armë zjarri në një miting elektoral të tij në Butler, të shtetit të Pensilvanisë.

Prokurori i qarkut Butler, Richard Goldinger tha në një intervistë telefonike se personi i armatosur, që dyshohet se qëlloi ndaj ish-presidentit, kishte vdekur, po kështu edhe të paktën një pjesëmarrës në tubim.

Mediat amerikane njoftuan se personi që dyshohet se qëlloi ndaj ish-presidentit, ishte vrarë nga shërbimet sekrete. Po kështu sipas tyre rasti po hetohet si tentativë për vrasje.

“Presidenti Trump falenderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer”, tha zëdhënësi Steven Cheung në një deklaratë. “Ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal. Më shumë detaje do të dalin në vazhdim”.

Kandidati potencial për president i Partisë Republikane Donald Trump, po tregonte një tabelë shifrash mbi kalimet në kufirin e vendit me Meksikën, gjatë tubimit të fundit të tij përpara fillimit të Konventës Kombëtare Republikane të hënën, kur nisën të shtënat.

Teksa u dëgjua e shtëna e parë zoti Trump shihet tek kap veshin dhe pasi të dëgjohen edhe dy tjera dhe ai shihet tek ulet në tokë.

Dikush dëgjohej prej mikrofonit të foltores së podiumit, tek bërtiste disa herë Ulu! Ulu!”, ndërsa agjentët rrethuan ish-presidentin.

Ata u grumbulluan sipër tij për ta mbrojtur, siç e kërkon dhe protokolli në këto raste, ndërsa agjentë të tjerë zunë pozicione në skenë për të shmanguar çdo kërcënim ndaj presidentit.

Ish-presidenti u ngrit në këmbë disa çaste më vonë dhe në fytyrën e tij shquheshin shenja gjaku.

Turma brohoriti ndërsa ai u ngrit përsëri duke ngritur edhe grushtin lart në drejtim të turmës që bërtiste: SHBA, SHBA.

Policia filloi të zbrazë terrenin menjëherë pasi zoti Trump u largua nga podiumi në atë që oficerët lokalë të policisë e cilësuan si një skenë krimi.

Presidenti Joe Biden u informua për incidentin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Në një reagim Presidenti Biden tha se ishte gëzuar nga fakti që ish-presidenti ishte jashtë rrezikut për jetën dhe ishte mirë me shëndet.

Ai shtoi se në SHBA nuk ka vend për dhunë dhe se amerikanët duhet të bashkohen si komb për ta dënuar atë.

Djali i madh i Trump, Donald Trump Jr., ndërsa postoi një foto të Trump në rrjetin social X me fytyrë të gjakosur dhe me grushtin lart, përpara një flamuri amerikan, shkruante se “ai nuk do të ndalojë kurrë së luftuari për të shpëtuar Amerikën”.

Guvernatori i Dakotës së Veriut Doug Burgum, senatori i Floridës, Marco Rubio dhe senatori i Ohajos JD Vance, tre emrat në listën e ngushtë të zotit Trump për nënpresident, nxorën me shpejtësi deklarata duke shprehur shqetësimin për ish-presidentin.

Guvernatori demokrat i Pensilvanisë Josh Shapiro, në një deklaratë në X shkruante se ishte informuar mbi situatën dhe se policia e këtij shteti ishte në gatishmëri në vendin e tubimit.

“Dhuna e drejtuar ndaj çdo partie politike apo udhëheqësi politik është absolutisht e papranueshme. Nuk ka vend në Pensilvani apo në Shtetet e Bashkuara”, shprehej ai.

Shërbimi Sekret tha në një deklaratë se “ish-presidenti ishte jashtë rrezikut për jetën” dhe se çështja tashmë ishte nën hetim aktiv.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb