Shkodra u trondit dje nga një shpërthim i fuqishëm tritoli, që kishte si objektiv biznesmenin Lulzim Kulla, duke e plagosur rëndë. Ky i fundit nuk është i emër i panjohur për policinë e Shkodrës, pasi ai njihet si një prej “të fortëve” të qytetit, ndërsa rezulton person me precedentë penale.

Po kush është Lulizim Kulla? Më poshtë po ju sjellim disa detaje rreth veprimtarive kriminale të Kullës, i cili prej vitesh nënshtron tregtarët në lagjen “Rus” në Shkodër duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare. Historia e ‘gjobave’ nisi që në vitin 1997. Thuhet se bizneset detyrohen që të paguajnë 50 mijë lekë të vjetra në muaj grupit të të fortëve. Kulla njihet si një person i dhunshëm, ndërsa nuk kanë qenë të pakta rastet kur është përfshirë në konflikte.

Mes të tjerash ai akuzohet se ka marrë pjesë në torturimin deri në vdekje të një prej tregtarëve, që nuk i është bindur diktatit të tij. Bëhet fjalë për një tregtar për shitjen e gazit, për vdekjen e të cilit nuk pati asnjë autor. Vetëm disa muaj më parë, Prokuroria nisi një hetim për gjobëvënie ndaj tregtarëve në Shkodër, por pavarësisht se operacioni u shoqërua me disa të arrestuar, çështja u sfumua nga dëshmitë e vetë tregtarëve, të cilët nga frika janë shprehur se paratë paguheshin për ruajtjen e dyqaneve dhe se ndaj tyre nuk është ushtruar presion për një pagesë të tillë.

Po ashtu 42-vjeçari rezulton se është një nga të arrestuarit për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit. Lulzim Kulla, edhe pse konsiderohej si një prej organizatorëve për kultivimin e një sasie të madhe të bimëve narkotike, u la i lirë pas vetëm 6 muajsh. Nuk është e qartë se si 42-vjeçari ka arritur t’i shmanget dënimit, duke bërë që çështja të mbyllet.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: