TIRANË

Analisti dhe gazetari, Skënder Minxhozi, duke folur për ngjarjen e rëndë të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji në Durrës, tha se Shqipëria po jeton të njëjtën kohë me atë të Italisë të viteve ’70. Ai foli në emisionin “Real Story” në News 24, edhe për shoferin e prokurorit, i cili humbi jetën mbrëmjen e sotme tek Spitali i Traumës. Sipas tij, këto ngjarje të rënda që kanë pllakosur sot Shqipërinë janë produkt i një drejtësie të munguar.

“Duket sikur jetojmë në jug të Italisë në vitet ’70, sepse kemi të vrarë. Këtu tek ne është më pak e lavdishme, sepse njerëzit e drejtësisë janë të përlyer. Këtu ka thjesht keqardhje njerëzore, që ikin para kohe. Ky shoferi që ndërroi jetë, realisht është për të ardhur keq. Kjo është një ngjarje e mbartur nga një drejtësi e mungur. Kjo tregon se sa thellë ka hyrë në indin njerëzor krimi dhe kriminalizimi. Kjo shoqëri është e kriminalizuar në një shkallë shumë ta lartë. Kjo është një shoqëri që ka adaptuar kulturën arkaike, që thuhej se është sevap të vjedhësh shtetin. Po të kapim dhe të shohim vitin e fundit, këtu nuk hyn askush në burg. Në çdo aspekt, këtu nuk ka njeri që paguan diçka te kasa, por dalin të gjithë të pafajshëm. Nuk hyn njeri në burg që vjedh vota. Drejtësia e re duhet të bëjë drejtësi.  Tek kjo kemi të vetmen shpresë, përndryshe do të shkojmë të gjithë në Gjermani te Merkel”-tha ai.

Analisti u ndal gjithashtu edhe tek procesi i vettingut për të cilin shfaqi rezervat e tij.

“Vettingu nuk po i sitë mirë dhe imët ata që kalojnë matanë. Unë kam dyshimin se nuk është një sitë kaq e imtë dhe e kujdesshme. Nuk e shoh çështjen politikisht, por teknikisht. Edhe ata që po kalojnë vettingun kam përshtypjen se nuk janë të gjithë të virgjër”-shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb