Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme atentatin ndaj Gentian Bejtjas në Fushë Krujë, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash pranë banesës së tij pak javë më parë.

Pjesë nga dokumentari:

Por kush është porositësi i vërtetë i ekzekutimit të Gentjan Bejtjas. Këtij personazhi të shumëpërfshirë në ngjarjet kriminale që lidhen kryesisht me Niklën, i cili kishte dijeni edhe për shumë krime të tjera që kishin ndodhur në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ku në mos ishte drejtpërdrejt i implikuar, të paktën kishte dijeni apo besohej se kishte tradhtuar, ata që deri dje u shërbente. Një njeri, të cilët grupi apo grupet rivale, i ishin qepur këmba këmbës për ta vrarë që nga viti 2016, por që nuk kishin mundur ta bënin një gjë të tillë, por që vrasjen e tij e mundësuan vetëm pasditen e datës 15 Mars 2024, ndërsa ai ishte kthyer përkohësisht në banesën e tij. Aty ku grupi i qitësve për t’u siguruar që shënjestrën e kishin përballë tyre dhe nuk kishte më mundësi shpëtimi, e konfirmuan praninë e tij edhe me anë të një fotografie.

“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, brenda rrethimit banesës, afër murit jugor u gjet kufoma e shtetasit Gentjan Bejtja, ndërsa brenda një sere prej plasmasi, që ndodhet brenda oborrit u gjetën 46 gëzhoja si dhe një foto e seksit mashkull me përmasa 4×6 cm”, thuhet në dosje.

Por a do të jetë ky epilogu i zbardhjes së vrasjes së Gentjan Bejtjes dhe arsyeve të vërteta që çuan në ekzekutimin e tij. Edhe pse deri më tani dy personat e ndaluar, Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj, kanë zgjedhur të mbyllin gojën përpara grupit hetues dhe të mos bashkëpunojnë me drejtësinë.

Ndërkohë që nga një pistat e mundshme e vrasjes së Bejtjas vazhdon të jetë përfshirja e tij në ekzekutimin e trefishtë të ndodhur në mbikalimin e Fushë-Krujës, më 17 korrik 2022, të Brilant Martinaj, kushëririt të bosit të kumarit Ervis Martinaj, edhe ky i zhdukur që nga gushti i këtij viti. Si dhe një seri ngjarjesh kriminale që pasuan, ku thuhet se pas tyre qëndron hija e vetë mbretit të zhdukur të bixhozit.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb