SHKODER– Detaje të reja janë publikuar nga ngjarja e ndodhur në qytetin e Shkodrës më 13 janar, ku disa persona vendosën një tritoli në lagjen “Rus”. I plagosur nga shpërthimi mbeti objektivi i atentatit Lulzim Kulla, i njohur si “i forti” i Shkodrës, si dhe tetë persona të tjerë.

Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Policisë Vendore të Shkodrës, Gjovalin Loka ka publikuar edhe emrat e personave të ndaluar për këtë ngjarje.

“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, si rezultat i mirë-organizimit dhe koordinimit, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, forcat e RENEAs, FNSH-së, së Tiranës si dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor “Together”. Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan shtetasit Endri Çopja 29 vjeç; Argel Lulaj 31 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi Serxho Teta, 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, tha drejtori i Policisë.

Kujtojmë se ditën e sotme policia e Elbasanit ka ndaluar disa persona të dyshuar për atentatin ndaj biznesmenit të njohur shkodran.

Vendi ku ndodhi atentati në Shkodër
Vendi ku ndodhi atentati në Shkodër

Sipas burimeve nga policia 7 personat dyshohet se vendosën tritolin në lagjen ‘Rus’ dhe organizuan atentatin e 13 janarit.

Po kështu që prej ditës së djeshme efektivë të Policisë së Shtetit, bashkë me atë lokale, RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar në Elbasan në kuadër të aksionit policor ‘Forca e Ligjit’.

Konferenca e Drejtorit Vendor të Policisë Shkodër, Gjovalin Loka:

Sot, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Shkodër, falë një pune intensive hetimore zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur në 13 janar 2018.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, si rezultat i mirë-organizimit dhe koordinimit, nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, forcat e RENEAs, FNSH-së, së Tiranës si dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit u zhvillua dhe u finalizua operacioni policor “Together”.

Si rezultat i këtij operacioni u kapën dhe u arrestuan shtetasit:

– Endri Çopja 29 vjeç
– Argel Lulaj 31 vjeç, të dy banues në Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar masë sigurie “Arrest në burg, në mungesë”, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, të kryera në bashkëpunim.

Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë hetimeve të ndjekura me metoda speciale dyshohet se janë autorë për ngjarjen në fjalë, ku mbetën të plagosur me lëndë plasëse 8 shtetas, ndër ta edhe shtetasi me iniciale L.K., i cili dyshohet se ishte objektiv i atentatit.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi Serxho Teta, 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa celulare, 4 automjete, 2 nga të cilat janë përdorur nga autorët ditën e ngjarjes, 6 000 euro, tre maska dhe fishekë luftarake.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vepre penale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb