Siguria e presidentit rus Vladimir Putin është gjithmonë duke u forcuar pavarësisht nga tentativat për vrasjen e liderëve të tjerë dhe po bëhet gjithçka e nevojshme për ta siguruar atë, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Për arsye të qarta, siguria tashmë është rritur pavarësisht nga ngjarjet e lartpërmendura,” tha Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi domosdoshmërinë e rritjes së masave për mbrojtjen e Putinit pas tentativave për jetën e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit sllovak Robert Fico.

“Mbrojtja e kreut të shtetit sigurohet në nivelin e duhur, po bëhet gjithçka e nevojshme, duke patur parasysh, natyrisht, përshkallëzimin ndërkombëtar të tensioneve në përgjithësi”, theksoi zyrtari i Kremlinit.

Një sulm i armatosur ndaj Ficos ndodhi në qytetin perëndimor të Sllovakisë, Handlova, më 15 maj. Politikani pësoi plagë me armë zjarri dhe iu desh t’i nënshtrohej disa operacioneve.

Nga ana tjetër, në SHBA një atentat ndaj Donald Trump ndodhi në një tubim parazgjedhor në Pensilvani më 13 korrik. Ish-presidenti u plagos por jeta e tij nuk është në rrezik pasi plumbi i ka shkëputur vetëm një pjesë të vogël të veshit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb