Presidenti Joe Biden tha të shtunën se “të gjithë duhet ta dënojnë” atentatin e dyshuar ndaj ish-presidentit Donald Trump dhe shtoi se shpreson të flasë së shpejti me rivalin e tij. Biden tha se po priste informacion shtesë përpara se ta quante zyrtarisht sulmin ndaj Donald Trump një tentativë për vrasje ndaj ish-presidentit. “Unë kam mendimin tim, por nuk kam fakte,” u tha ai gazetarëve, duke u zotuar të se do të japë informacione shtesë kur t’i marrë ato.

Presidenti foli nga qyteti bregdetar Rehoboth i shtetit Delauerë, ku po kalonte fundjavën.

Biden mori “informacionin fillestar” nga këshilltarët e tij pas të shtënave dhe më pas mblodhi zyrtarët e sigurisë për një përditësim më të detajuar nga Kimberly Cheatle, drejtoresha e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara, Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas dhe këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë, Liz Sherwood-Randall.

Pas incidentit, fushata e Biden tha se po ndalte të gjitha mesazhet për përkrahësit e tij dhe se do të tërhiqte të gjitha reklamat televizive. Nënpresidentja Kamala Harris tha në një deklaratë se edhe ajo ishte informuar, duke shtuar se ajo dhe bashkëshorti i saj “ndjehen të lehtësuar” që Trump nuk ishte lënduar rëndë.

“Ne lutemi për të, familjen e tij dhe të gjithë ata që janë lënduar dhe prekur nga ky sulm i pakuptimtë,” tha ajo.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se Presidenti Biden do të niset nga shtëpia e tij e plazhit në Rehoboth për në Uashington mbrëmjen e së shtunës./ VOA

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb