Kandidati republikan për president dhe ish-presidenti amerikan Donald Trump është “i sigurt dhe i padëmtuar” pasi agjentët e Shërbimit Sekret të SHBA hapën zjarr kur panë një person me armë zjarri në fushën ndërkombëtare të golfit Trump në perëndim të Palm Beach, ku ish-presidenti ndodhej. Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë se personi i armatosur ndodhej në disa shkurre pranë vijës së pronës së fushës së golfit kur agjentët e Shërbimit Sekret, vunë re një tytë pushke që dilte nga shkurret.

Në një postim natën vonë në llogarinë e tij në Truth Social, Donald Trump ka falënderuar shërbimin sekret dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit për “punën e tyre të jashtëzakonshme” për ta mbajtur atë të sigurt. Pasi deklaroi se kishte qenë një “ditë interesante”, Trump vazhdoi të përgëzonte zyrtarët e zbatimit të ligjit.

Agjentët panë personin e armatosur dhe qëlluan të paktën katër fishekë rreth orës 13:30 me orën lokale. Më pas, autori i armatosur hodhi pushkën, dy çantat e shpinës dhe sende të tjera dhe iku me një makinë Nissan të zezë. Një dëshmitar, tha sherifi, e pa të armatosurin dhe arriti të fotografonte makinën dhe targën e tij. Në një konferencë për shtyp, Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw, tha se një i dyshuar mashkull ishte arrestuar nga autoritetet. Sipas Bradshaw, i dyshuari ishte relativisht i qetë.

Zyrtarët pranuan se për shkak se Trump nuk është në detyrë, fusha e e golfit nuk ishte e rrethuar. “Nëse ai do të ishte, ne do të kishim të gjithë fushën e golfit të rrethuar”, tha Bradshaw gjatë konferencës së së dielës. Në vijim ai sqaroi se siguria e Trump është e kufizuar në zonat që Shërbimi Sekret i konsideron të mundshme.

Personi i armatosur u pa midis 300 dhe 500 metra larg vendit ku Trump po luante, thanë zyrtarët e Shërbimit Sekret.

FBI e quajti incidentin “si një tentativë për vrasjen e ish-presidentit”. FBI dhe zyrtarë të tjerë të zbatimit të ligjit thanë se i dyshuari kishte një pushkë AK47 dhe një kamerë GoPro me të cilën ai me sa duket synonte të regjistronte pamjet dhe dy çanta shpine me pllaka qeramike në të.

I dyshuari është identifikuar si Ryan Wesley Routh, 58 vjeç. Zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk kanë përmendur zyrtarisht një të dyshuar apo nuk kanë dhënë ndonjë tregues të menjëhershëm mbi motivin. Agjentët e shërbimit sekret dhe të sigurisë kontrolluan një ish-banesë ku kishte qëndruar i dyshuari.

Në një email drejtuar mbështetësve, Trump tha: “Kishte të shtëna armësh në afërsi, por përpara se thashethemet të dilnin jashtë kontrollit, doja që së pari të dëgjoni këtë: jam i sigurtë dhe mirë!”. Ai shtoi se “asgjë nuk do të më ngadalësojë. Nuk do të dorëzohem kurrë!”. Trump u plagos në një atentat në Pensilvani më 13 korrik.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se presidenti Joe Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris ishin informuar për incidentin dhe ishin të lehtësuar lidhur me faktin se Trump ishte i sigurtë. “Dhuna nuk ka vend në Amerikë”, tha Harris në një postim në rrjetet sociale. Kandidati demokrat për nënpresident, Tim Walz lëshoi ​​një deklaratë, duke postuar në X: “Gwen dhe unë jemi të lumtur të dëgjojmë se Donald Trump është i sigurt. Dhuna nuk ka vend në vendin tonë”.

Më vonë, Biden dhe Harris lëshuan deklarata të veçanta. Biden tha: “Jam i lehtësuar që ish-presidenti është i padëmtuar”. Biden tha gjithashtu se ai ka “urdhëruar ekipin që të vazhdojë të sigurojë që Shërbimi Sekret të ketë çdo burim, aftësi dhe masë mbrojtëse të nevojshme për të garantuar sigurinë e vazhdueshme të ish-presidentit”. Harris përsëriti thirrjen e Biden për masa mbrojtëse dhe tha se ajo ishte “thellësisht e shqetësuar” nga përpjekja e dukshme për vrasje.

Senatori amerikan JD Vance, kandidati për zv.President i Republikanëve, tha se ai foli me Trump pas të shtënave dhe se ish-presidenti ishte në humor të mirë. Lindsey Graham, një nga aleatët kryesorë të Kongresit të Trump, tha se kishte folur me ish-presidentin pas incidentit dhe se Trump ishte në “humor të mirë” dhe ishte “një nga njerëzit më të fortë që ka njohur ndonjëherë”.

Trump do të informohet personalisht për hetimin nga drejtori i shërbimit sekret Ronald Rowe, raporton Associated Press.

Më herët, CNN raportoi se Rowe ishte rrugës për në Florida. Rowe ka mbajtur pozicionin më të lartë të Shërbimit që kur Kimberly Cheatle dha dorëheqjen në korrik pas atentatit kundër Trump në Butler, Pensilvani.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, ka thënë në X se “Shteti i Floridës do të kryejë hetimin e tij në lidhje me tentativën për vrasje në Klubin Ndërkombëtar të Golfit Trump”. Ai shtoi se “njerëzit e meritojnë të vërtetën për atentatorin dhe sesi ai ishte në gjendje të arrinte 500 metra larg ish-presidentit dhe kandidatit aktual të GOP”.

Lideri demokrat Hakeem Jeffries ka lëshuar një deklaratë për atentatin e dukshëm, duke thënë: “dhuna politike nuk ka vend në një shoqëri të civilizuar. Unë jam mirënjohës që ish-presidenti Trump është i sigurt dhe që autori i dyshuar është në paraburgim. Ai duhet të ndiqet penalisht në masën e plotë të ligjit.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb