Policia greke ka zbuluar së fundmi lidhjen e 47-vjeçarit shqiptar Irakli Davella, të ekzekutuar sot në Athinë, me një person tjetër të vrarë vitet e fundit. Bëhet fjalë për biznesmenin grek Jorgo Mitsou, pronarin e një karburanti, i cili u ekzekutua në qershor 2022 në zonën e Gerakas në Greqi. Sipas burimeve të fundit, Mitsou frekuentonte lokalin e Davellës në zonën e Peristerit në Athinë dhe kishte miqësi me të.
Në fakt lidhja e fundit nuk përbën habi për hetuesit, duke ditur që edhe Mitsou më parë ka qenë pjesë e grupit të mafiozit grek Manolis Karagiannis, i vrarë në 2018. Kështu lidhjet e Davellas rezultojnë të paktën me 4 pjesëtarë të vrarë të së ashtuquajturës “Greek Mafia”, konkretisht Manolis Karagiannis, Vasilis Grivas, Jorgos Litsas dhe Jorgo Mitsou.
Policia greke po përpiqet të zbulojë nëse këto vrasje lidhen edhe me ekzekutimin e sotëm, edhe pse në fakt Irakli Davella ka rreth 13 vjet me CV të pastër kriminale, që pas arrestimit në 2009 si pjesë e një grupi gjobëvënësish dhe përfshirjes së tij në 2011 në një grup kriminal falsifikatorësh në Korfuz të përbërë nga një biznesmen nga Saranda dhe oficerë policie e politikanë lokale të ishullit grek.
Ndërkohë policia po heton edhe biznesmenin 46-vjeçar Edi Lulo, i cili kishte pak ditë që kishte ardhur në Greqi nga Dubai. Ai vazhdon të trajtohet në gjendje të rëndë në spital, pas plagëve me armë zjarri që ka marrë në kokë e bark.
Lidhjet e Davellës mes Athinës, Korfuzit, Mykonos dhe Sarandës po shihen në detaje nga autoritet greke, pasi viktima kishte biznese dhe pasuri të paluajtshme në këto vende por dhe lidhje të forta me personazhe të rëndësishëm të këtyre qyteteve.
(BalkanWeb)