DURRËS- Robert Rama mund të jetë vrarë nga ekzekutorë të paguar. Në këtë konkluzion kanë çuar hetimet e deritanishme Policinë e Durrësit, e cila po punon intensivisht për të mësuar shkakun e vrasjes, si dhe identifikimin e autorëve, të cilët u larguan në drejtim të paditur menjëherë sapo u siguruan se 31-vjeçari ndërroi jetë.

Ky fakt do ta bëjë edhe më të vështirë zbardhjen e ngjarjes. Gjashtëkëndësh me mistere e konsideron Policia jetën e Robert Ramës, 31-­vjeçarit që u ekzekutua mbrëmjen e së hënës në zonën e ish-­Kënetës, në Durrës. Burime nga grupi hetimor thanë se po hetohen të gjitha pistat e mundshme për të gjetur shkakun e ekzekutimit të 31-­vjeçarit nga Kurbini, por zbardhja e kësaj ngjarjeje konsiderohet shumë e vështirë për vetë faktin se Rama ka një të kaluar shumë problematike.

Sipas Policisë, 31­-vjeçari, i cili u ekzekutua me plumb në kokë nga dy persona që lëviznin me motor, është përfshirë në konflikte të shumta në qytete të ndryshme të vendit, si dhe ka kryer disa grabitje me armë e dhunë, një pjesë e të cilave është mësuar nga të dëmtuarit. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se 31­-vjeçari, përveç emrit, ka ndërruar disa herë vendbanimet, për shkak se ishte person i shpallur në kërkim dhe gjithashtu kërkohej nga kundërshtarët, me të cilët ka pasur konflikte.

Mësohet se Robert Rama ka lindur në Leskovik dhe më pas u vendos së bashku me familjen e tij në Laç për disa vite. Kohët e fundit 31- vjeçari banonte në Tiranë, ndërsa prej dy muajsh kishte marrë një banesë me qira në Durrës, në zonën e njohur si ura e Dajlanit, pak metra larg vendit ku u vra. Shkaku përse Robert Rama ndodhej në vendin ku edhe u ekzekutua ka të bëjë me faktin se e frekuentonte atë lagje, pasi ishte larg syve të Policisë, e cila e kishte shpallur në kërkim prej disa kohësh.

Rama kishte zënë shoqëri me djemtë e lagjes dhe i druhej ndonjë rasti sikurse ai i mbrëmjes së të hënës. Për këtë, ai mbante gjithmonë me vete një armë zjarri pistoletë, me qëllim që të vetëmbrohej, por masat e marra nuk rezultuan efikase. Policia dyshon se kemi të bëjmë me një ekzekutim profesional, pasi autorët nuk kanë lënë asnjë shenjë në vendin e ngjarjes.

(m.k/Panorama/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: