Tre persona, babai dhe dy djemtë e tij janë shoqëruar në lidhje me vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj i cili u ekzekutua me armë zjarri në makinën e tij dy ditë më parë, në fshatin Dragoç të Postribës. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 4 janarit, ndërsa trupi i pajetë i të riut u gjet mëngjesin e ditës tjetër. Ai ishte qëlluar me breshëri plumbash brenda në automjetin e tij “Mercedes Benz”.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për BalkanWeb se të arrestuarit, babai dhe një nga djemtë, janë shtetasit Arjan Hasa dhe Rrustem Hasa, ndërsa ende nuk dihet emri i djalit tjetër. Njëri nga të arrestuarit mësohet se është prangosur teksa po tentonte të largohej jashtë vendit.

Ramazan Mataj u vra tre ditë më parë në orët e mbrëmjes në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër ndërsa trupi i tij i pajetë u gjet nga banorët e zonës. Viktima dhe autorët janë nga i njëjti fshat.

Nga hetimet e para besohet se ngjarja mund të ketë lidhje me konflikte personale, ku nuk përjashtohet edhe një lidhje intime që i riu ka pasur apo një ngacmim i vazhdueshëm në rrjetet sociale.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar prova të mjaftueshme për atentatin e mbrëmjes së 4 janarit që tronditi Shkodrën.

(BalkanWebv)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb