Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar mbi atentatin e ndodhur pasditen e sotme në Shkodër, ku u ekzekutua Hamza Lici dhe mbeti i plagosur rëndë Arlind Bushati i cili në orët e vona të mbrëmjes ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës.
Viktimat ndodheshin në një automjet tip “Benz S Class”.
Ndaj tyre është qëlluar me breshëri armësh kallashnikov, ndërsa dyshohet se janë dy autorë që kanë marrë pjesë në këtë atentat.
Dyshohet se Lici dhe Bushati janë mbajtur në vëzhgim nga autorët e krimit, ndërsa viktima dhe i plagosuri kishin hyrë në territorin shqiptar nga Mali i Zi, raportoi gazetari Igli Çelmeta.
Referuar burimeve nga policia, Çelmeta tha se janë shoqëruar 4 persona, identitetet e të cilëve nuk dihen.
Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Open” se referuar të dhënave nga Policia e Shtetit, “Hamza Lici nuk ka mundur të qëllojë me armën që kishte me vete, por Arlind Bushati ka arritur të qëllojë duke hapur zjarr”.
(BalkanWeb)