Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda cakton masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 20-ditor për dy kushërinjtë Aurel e Amarildo Hoxhallari, të dyshuar si porositës të atentatit ndaj Pajtim Serjanit, ky i fundit, mik i Emiljano Shullazit.


Brenda këtij afati, Prokuroria për Krime të Rënda duhet të sigurojë prova, për të implikuar përfshirjen e dy kushërinjve në ngjarjen e rëndë që ndodhi në Rrugën e Kavajës mbrëmjen e 5 janarit, ku atentatori Artur Baze alias Arjanit Sterio mbeti viktimë, ndërsa shënjestra Pajtim Serjani u plagos lehtë. Ndaj Aurel e Amarildo Hoxhallarit është ngritur fillimisht akuza e “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë”.


Por, ndonëse policia i dërgoi në pranga si porositës të atentatit ndaj Serjanit, prokuroria dje në seancë gjyqësore kërkoi arrest me burg për 30 ditë për dy kushërinjtë, pasi me sa duket, nuk është e bindur për përfshirjen e tyre në ngjarje, ndonëse sipas zyrtarëve të lartë pranë organit të akuzës, ka dyshime të forta, se Aurel e Amarildo Hoxhallari, janë parë në ambiente publike me Arjanit Sterion, pikërisht në vendet që frekuentoheshin edhe nga shënjestra Pajtim Serjani. Seancat ndaj dy të dyshuarve u zhvilluan me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor, por burime nga gjykata thanë se asnjëri nga dy kushërinjtë nuk preferoi të fliste para gjykatës, por u mjaftuan me konfirmimin e gjeneraliteteve të tyre. Ndërsa, nëpërmjet avokatëve të tyre, kanë ripërsëritur se nuk kanë asnjë lidhje me atentatin, ndonëse dyshimet janë se Aurel dhe Amarildo Hoxhallari kanë pasur konflikte të vjetra me Pajtim Serjanin.


(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)