NGA:ENRIK MEHMETI*
Një ditë pas ngjarjes së ndodhur në lagjen “Pavarësia” të Vlorës ku mbeti i plagosur me një plumb në krah Armando Sulejmani (i njohur me nofkën “Çipuri” dhe anëtar i bandës së Gaxhait), policia e qytetit bregdetar pohoi se dyshohet që autorët e atentatit të jenë vrasës me pagesë, por jo profesionistë. Mësohet se 39-vjeçari ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të Vlorës dhe se gjendja e tij është e stabilizuar.

Dhoma ku ndodhet i plagosuri ruhet me efektivë të policisë së rendit, të cilët nuk lejojnë që të futet brenda asnjë person përveç familjarëve të tij. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor dje deklaruan se Sulejmani, i cili u qëllua në hyrje të pallatit të tij (kati i parë), është ndihmuar nga kushëriri i tij për t’u ngjitur në katin e katërt të pallatit, ndërsa dy atentatorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje, 39-vjeçari ka deklaruar se nuk i ka njohur personat që i bënë atentat, pasi ata kanë qenë të maskuar. Ndërkohë, ai nuk ka pranuar se ka pasur armë zjarri dhe se nuk ka qëlluar në drejtim të atentatorëve.

Nga ana tjetër, burime nga policia bënë me dije se është qëlluar me armë zjarri pistoletë nga të dyja palët. Po të njëjtat burime sqaruan se dy autorët e krimit kanë qëlluar Armando Sulejmanin (kishte pak kokë që kishte dalë nga burgu) në hyrje të pallatit të tij dhe se ky i fundit, edhe pse i plagosur, ka mundur të ngjitet në katin e katërt dhe të kundërpërgjigjet ndaj atentatorëve me pistoletë. Mendohet se njëri nga atentatorët mund të jetë plagosur në këmbë. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë në disa njësi tregtare të zonës, policia e Vlorës ka konstatuar se në atentatin ndaj Sulejmanit kanë marrë pjesë dy persona të moshës nga 20 deri në 25 vjeç, të maskuar dhe të armatosur me pistoletë. Nisur nga fakti se njëri nga autorët çalonte në të ecur, blutë deklaruan se ai mund të jetë plagosur.

Për këtë arsye janë në vëzhgim të plotë, spitali i Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, por gjithashtu po mbahen në vëzhgim dhe mjekët kirurgë, se mos ndonjëri prej tyre merret për ndihmë në ambiente shtëpie. Gjithashtu, mësohet se gjatë 24 orëve të fundit blutë kanë shoqëruar dhe marrë në pyetje 12 persona, disa prej të cilëve dyshohet se mund të kenë marrë pjesë në atentat, por edhe persona të tjerë që mund të japin ndihmën e tyre në identifikimin e autorëve të ngjarjes së ndodhur rreth orës 22:00 të së dielës. Paraprakisht, policia dyshon se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh dhe se ka lidhje me vrasjet e kryera nga Armando Sulejmani në të shkuarën e tij. Fillimisht Sulejmani është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa Gjykata e Lartë ia ka ulur dënimin duke e dënuar me 16 vite burg.(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: