Dhoma e Tregtarëve të Athinës, përkrahës i rëndësishëm i biznesit organizon konferencën e dytë dedikuar kërkesave dhe problematikës së gjithë sipërmarrësve shqiptarë “Biznesi nuk njeh kufij”. Një inisiativë tepër e rëndësishme nga kryesia e Dhomës, që gradualisht po kthehet në traditë, kjo konferencë do të zhvillohet më 3 shkurt në formë virtuale, sipas kushteve të diktuara nga situata aktuale.

Thuajse një vit po përjetojmë një situatë të paprecedentë, që ushtron presion të jashtëzakonshëm, sidomos në biznesin e vogël dhe të mesëm, duke e kthyer çdo ditë në një luftë për mbijetesë.  Karakteristika mbizotëruese e tregut grek për muaj të tërë është pasiguria, frika nga e panjohura që vjen gjatë por edhe pas epokës së covid-19. Problematika dhe shqetësimet janë të ngjashme për të gjithë sipërmarrësit pa përjashtim, por a gëzojnë të gjithë të njëjtin informacion të gjerë dhe a kanë akses të plotë në veglat e qëndrueshmërisë dhe zhvillimit?

Dhoma e Tregtarëve të Athinës është koherente me të gjitha zhvillimet, duke aplikuar vazhdimisht politika mbështetëse e kontribuar me çdo mënyrë për forcimin e qëndrueshmërisë së biznesit, duke mbështetur në mënyrë aktive sipërmarrësit e biznesit të vogël e të mesëm, pavarësisht origjinës së tyre. Në këtë kuadër vjen dhe ky takim i dytë, me pjesëmarrjen e ministrave dhe përfaqësuesve të lartë të sferës së biznesit nga dy vendet, Greqi dhe Shqipëri, një aktivitet që evidenton në mënyrën më të mirë të mundshme mbështetjen esenciale ndaj të gjithë anëtarëve të ardhur nga vende të ndryshme.

Programi i Telekonferencës

– Hapja e aktivitetit nga Kryetari i Dhomës së Tregtarëve të Athinës (E.E.A), z. Giannis Chatzitheodosiou.

– Përshëndetje dhe koment mbi aktualitetin nga Ministri i Zhvillimit dhe Investimeve të Republikës së Greqisë, z. Adonis Georgiadis

– Përshëndetje nga Ministri i Shtetit të Republikës së Shqipërisë për Diasporën, z. Pandeli Majko.

-Përshëndetje nga Ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj

– Përshëndetje nga Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga.

-Përshëndetje nga Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka.

-Informacion mbi veprimtaritë e Dhomës së Tregtarëve të Athinës për sipërmarrësit nga Shqipëria nga Kryetari i Komisionit të Organizimit z. Kristaq Konduri, anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës së Tregtarëve të Athinës.

– Përshëndetje nga Kryetari i Komunitetit Shqiptar në Greqi, z. Ermal Sulaj.

– Përshëndetje nga Kryetari i Biznesmenëve Greko – Shqiptarë të Greqisë së Veriut, z. Arian Gusho

– Informacion i gjerë për pjesëmarrësit nga eksperti i tatimeve z. Panagiotis Pandelis, auditues financiar pranë E.E.A.

– Mbyllja e aktivitetit nga Kryetari i E.E.A., z. Giannis Chatzitheodosiou.

Koordinon aktivitetin gazetarja znj. Ira Londo

Shënim: Për lehtësimin e pjesëmarrësve ofrohet interpretim i njëkohshëm nga gjuha shqipe në greqisht dhe anasjelltas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: