Nga Klodiana Lala
Pasi morën dëshminë e Albert Veliut, i njohur si Babalja, oficerët e policisë gjyqësore të Krimeve të Rënda, zbarkuan në Vlorë, duke këqyrur lokalet dhe vendet që përmenden në audio-përgjimin, ku dyshohet të jetë i përfshirë Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.


Oficerët shpresonin të siguronin kamerat e sigurisë në disa lokale, edhe në atë që njihet si pronë e vëllait të ministrit. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të konfirmohej nëse realisht ka pasur një takim mes ish-të dënuarit, i cilësuar si bashkëpunëtori X dhe Agron Xhafajt.


Por, vizita e oficerëve në qytetin bregdetar, duket se nuk ka vlejtur shumë, pasi burimet thonë se gjatë këqyrjeve nuk janë siguruar të dhëna me interes për hetimin. Në kuadër të çështjes, pasditen e së martës, prokuroria ka administruar me procesverbal edhe pajisjet me të cilat është realizuar përgjimi audio, që u janë dorëzuar nga avokati i gazetarit Jetmir Olldashi.


lokali agron xhafaj Vlore 1

Megjithatë, prokurorët e çështjes ende nuk kanë marrë një vendim mbi ekspertimin e audio-përgjimit, për të konfirmuar nëse zërat janë Agron Xhafajt dhe Albert Veliut, apo bëhet fjalë për një montazh. Mesa duket, është duke u parë mundësia që ekspertiza të kryhet në ndonjë nga vendet partnere, edhe pse një fakt i tillë pranohet vetëm në rrugë jozyrtare.

Ndërkaq, pritet që prokurorët të thërrasin në pyetje edhe personat e tjerë, që Veliu dhe Jetmir Olldashi, pretendojnë se kanë takuar dhe biseduar për çështje të trafikut të drogës, gjatë investigimit që po kryente gazetari.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb