TIRANE – Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, ka vendosur të dalë në një deklaratë për shtyp për të sqaruar audiopërgjimin ku akuzohet se ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar Ledi Bianku të Strasburgut për një ndalim të proceseve gjyqësore në lidhje me pronësinë.
Biba tha se ndjehet i ofenduar nga gjithçka që po ndodh, dhe se është keqinterpretuar ajo që sipas tij ishte një bisedë mes 2 miqsh.
“Jam i ofenduar nga gjithë kjo që po ndodh, se si një bisedë mes 2 miqsh, pedagog-student, është copëtuar, për t’u paraqitur në këtë mënyrë për qëllime politike. Me Biankun më lidh histori e gjatë, e kam pasur pedagog, më ka ardhur në shtëpi, i kam shkuar në shtëpi, kemi dalë me fëmijët e njëri-tjetrit,” tha ai.
Nënkryetari i KQZ ka sqaruar se me Biankun e lidh një histori e gjatë njohjeje dhe se nuk ka pasur arsye ta shantazhojë gjyqtari i Strasburgut nuk ka pasur gjë në dorë.
“Më ka pyetur, e kam pyetur për punën e tij, i kam kërkuar mendim. I thashë me kërkesë të Agaçit, bashkë me Peleshin për këtë kërkesë. Është e pamundur që të shantazhohej dikush që nuk kishte gjë në dorë. Nuk ka qenë ndërhyrje e paligjshme, mjafton të dalë biseda e plotë e pacensuruar,” u shpreh Biba
Ai ka treguar i thirrur nga sekretari i Përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi, është vendosur të shkojë si ekspert i Kushtetueses sëbashku me zv.kryeministrin Niko Peleshi për të kërkuar shtyrjen e pagesës së të shpronësuarve.
“Më ka thirrur sekretari i përgjithshëm, Engjëll Agaci, dhe si ekspert i Kushtetueses të asistoj zv.kryeministrin Niko Peleshi, me njohuritë tona, me një grup zyrtar për të kërkuar publikisht shtyrjen e afatit të shtetit shqiptar për të paguar menjëherë një shumë të konsiderueshme parash për pronarët që ishin shpronësuar. Shteti shqiptar do kërkonte një shtyrje të dytë, me këtë cilësi kemi qenë atje. Në kafenenë e Gjykatës kam takuar mikun tim të ngushtë Ledi Bianku. Në atë bisedë fare miqësore, as që bëhet fjalë për shantazhe, është manipulim. Ai është i pashantazhueshëm, sepse ai nuk kishte gjë në dorë, jo më për marrëdhënien tonë që është e paimagjinueshme një gjë e tillë,” tha Biba.
Në fund ai akuzoi opozitën se “shkakton furtuna të tilla” për të bërë luftë politike.
“Habitem me këtë dembelizëm të opozitës që ngre furtuna të tilla e nuk mundohet ta gjejë të plotë atë audio-përgjim, e aty të dalë se çfarë kemi folur me njëri-tjetrin, bisedë normale miqsh. Nuk e kuptoj kush përfiton nga kjo gjë. As opozita nuk fiton gjë. Ndoshta i shtyhet dhe pak muaj mandati i mikut tim Biankut në detyrë, ndoshta kërkohet të hidhet baltë mbi postin tim prej nënkryetari të KQZ, në prag zgjedhjesh pas disa muajsh. Nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e hallit të opozitës. E neveris të gjithë këtë që ka ndodhur,” përfundoi n/kryetari i KQZ.
e.f/BalkanWeb