Vlora feston për të mbledhur ndihma për familjet që u prekën nga përmbytjet një muaj më parë. Një mbrëmje bamirësie e organizuar nga Aurela Gace dhe gazetari Enrik Mehmeti i titulluar “E Dua Vlorën” ka mbledhur qindra qytetarë në sallën e teatrit ‘Petro Marko’.
Shfaqja muzikore nga Aurela, ‘Revolt Klan’, ‘Kurorat Fiks’ e ndërthurur me nota humori nga ‘Parodistët e Vlorës’ dhe batutat e gazetarit Enrik Mehmeti ka sjellë një mesazh shumë të fortë. Solidaritet për familjet të cilat përjetuan përmbytjet një muaj më parë. Në skenë edhe pse jo i pranishëm, nëpërmjet zërit të tij, ishte edhe Emiljano, i paralizuari, historia e të cilit u mësua vetëm nga përmbytjet.
Këngëtarja Aurela Gace u shpreh se iniciativa e ndërmarë me gazetarin Enrik Mehmeti nuk do të jetë e fundit pasi të tjera do e pasojnë për cështje të cilat mund t’i vijnë në ndihmë personave në nevojë.
Gazetari Mehmeti apeloi në skenë për të gjithë ata kanë mundësi të japin kontributin e tyre jo vetëm në rastin e përmbytjeve ku qindra familje po përjetojnë vështirësi të mëdha por në cdo rast që është mundësia pasi një ndihmë minimale mund të bëj të lumtur dikë që është në vështirësi.
Interesi i madh për aktivitetin bëri që biletat të shiteshin brenda një ditë ku të gjithë të ardhurat do të shkojnë për familjet e përmbytura. Cdo gjë u realizua nëpërmjet kontributeve vullnetar ndërkohë që qindra të rinj u ngjitën në skenë me simbolikën e koncertit duke shprehur solidaritet për familjet e përmbytura.
(d.b/BalkanWeb)