TIRANE
Aurela Gaçe ka folur për shtatzëninë dhe mëmësinë gjatë një interviste në podkastin e Orinda Hutës, “Mam”. Ajo u ndal edhe te lajmi i shtatzënisë dhe mënyra origjinale se si e ka ndarë me të ëmën, pasi prindërit e saj nuk e njihnin partnerin e saj Skerdin dhe as nuk e dinin se ajo po dilte me dikë.
“I them mamit, e ul në një kafene. Nuk dija si t’ia thosha, po rrotullohesha, se ata nuk e dinin ekzistencën e Skerdit. Unë nuk u kisha thënë që po dal me një djalë.
– I them: Do bëhesh gjyshe!
– Hë me hë, tallesh ti?
– I thashë, jo nuk tallem.
– Ashtu, ë? Mirë, një ëmbëlsirë. (qesh)
Prindërit mezi e kanë pritur, por kam pasur dy prindër, dhe i kam, por po flas për kohën para se të bëhesha nënë, kam pasur nga ata prindër që nuk më kanë ngacmuar asnjëherë që pse nuk fejohesh, pse nuk sjell dikë në shtëpi që ta njohim. Nuk më kanë ngacmuar asnjëherë, as për shtatzëni, as për fëmijë, më kanë lënë të qetë”, -rrëfeu Aurela.
Aurela zbuloi gjithashtu se gjatë periudhës së Eurovizionit ka qenë shtatzënë, por e kanë ditur vetëm njerëzit e saj të afërt. Vetëm pasi përfundoi Eurovizioni ajo e shpalli publikisht shtatzëninë.